Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Siç pritej: refuzohet me neveri “dialogu” i kryeministrit monologues…

Siç pritej: refuzohet me neveri “dialogu” i kryeministrit monologues…

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe lirimin e studentëve të ndaluar

Pedagogë, studentë dhe të rinj kanë hequr sot karriget e vendosura para Kryeministrisë nga Edi Rama, në shenjë kundërshtimi ndaj thirrjeve të qeverisë për dialog.

Me këtë veprim simbolik, protestuesit kanë bërë të qartë se nuk pranojnë ftesën për bisedime në kushtet aktuale dhe se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit.

Gjatë marshimit drejt godinës së qeverisë, pedagogët dhe të rinjtë kanë brohoritur: “Refuzojmë dialogun! Lironi studentët!” dhe “Pa dorëheqje, nuk ndalojmë!”. Ata kanë kundërshtuar trajtimin e studentëve gjatë protestave dhe kanë kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

Pas marshimit, studentë, pedagogë, akademikë dhe qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë. Protestuesit kanë refuzuar edhe mesazhin për dialog të përcjellë nga drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Mes sloganeve të dëgjuara para godinës së qeverisë kanë qenë “Dorëheqje”, “Arrestoni Ramën!” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”.

Pedagogët kanë bërë thirrje që tubimet në solidaritet me studentët të zhvillohen çdo ditë, në orën 10:00, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë dhe duke dënuar dhunën ndaj tyre.

Protestuesit kanë theksuar se do të vijojnë qëndrimin e tyre për sa kohë kërkesat nuk marrin përgjigje, duke e konsideruar dorëheqjen e kryeministrit dhe lirimin e studentëve të ndaluar si çështje thelbësore të përballjes me qeverinë. /tesheshi.com/