Sigurohet furnizim i rregullt me energji pas sulmit në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin-Potok ku u dëmtua kanali i ujit Ibër Lepenc.

“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar ajo.

Rizvanolli ka njoftuar më tej për planin për furnizim me ujë.

“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”.

Ajo ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, ka njoftuar se është mundësuar furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit.

“Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë akterëve relevant në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit”, ka shkruar ai në Facebook.