Kultura e sinkretizmit fetar, qoftë mes Krishterimit dhe Islamit, qoftë i njërit prej tyre, me mite dhe kulte pagane të vjetra ilire, ka rrënjë të thella në kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Ruajta e traditave me origjinë pagane dhe përzierja lokale e disave prej tyre me fetë abrahamike, në kulturën popullore të shqiptarëve, nuk është produkt i teologjisë së asnjë prej feve që gjenden në Shqipëri, por i padijes dhe i një mendësie pagane të trashëguar, që thotë se: duhet ta kemi mirë me të gjitha hyjnitë; çka në këndvështrimin fetar monoteist islam apo edhe të krishterë, është problematik dhe i papranueshëm, edhe pse në teori dhe praktikë, Islami sunit ka treguar që është më refuzuesi në këtë drejtim.
Ndërkohë, ajo që shfaqet si problem më i madh në këtë rast, është përpjekja e politikës apo personazheve publike shqiptare, që duhet thënë se janë thellësisht të paditur me teologjinë dhe doktrinat bazike të feve, për të imponuar apo promovuar këtë kulturë sinkretike, si vlerën më të lartë të tolerancës ndërfetare tek shqiptarët, si dhe për t’i dhënë asaj një bazë dhe vlerë teologjike transcendente. Por ndërkohë, në sytë e feve që ne kemi mes shqiptarëve, injoranca dhe trashëgimia pagane dhe sinkretizmi fetar nuk janë aspak vlera për t’u krenuar me to.
Institucionet zyrtare fetare heshtin publikisht karshi këtij aktiviteti, herë për konformizëm politik, e herë për konformizëm social, ndërkohë që brenda objekteve të tyre të kultit shprehen krejt ndryshe, duke pohuar atë që vetë fetë thonë për veten dhe besimet e tjera, dhe që në thelb, refuzon sinkretizmin doktrinar. Por ndërkohë që këtë sinkretizëm e kundërshtojnë zëra të pavarur, duke qenë të vërtetë dhe të sinqertë me besimin e tyre, injoranca popullore me në krye mediat dhe politikën, i etiketon ata si ekstremistë dhe radikalë!
Po të jesh i sinqertë deri në fund me besimin tënd dhe me popullin, është radikalizëm për elitat e korruptuara dhe ato injorante karshi fesë, që në fakt, jo vetëm mendojnë të ruajnë pushtetin e tyre, por disa besojnë sinqerisht se kjo lloj hipokrizie fetare është çelësi i paqes mes shqiptarëve. Dhe kësaj hipokrizie i bashkohen qoftë duke heshtur, qoftë duke e miratuar formalisht, edhe Institucionet fetare dhe klerikë të ndryshëm.
Këtyre njerëzve dhe politikanëve si Kryeministri ynë dhe të tjerë poshtë tij, iu duhet mësuar se bashkëjetesa paqësore e besimeve fetare nuk është ekskluzivisht vetëm shqiptare, dhe se për ta ruajtur atë nuk ka nevojë për nisma të sinkretizmit religjioz, por mbi të gjitha, për mosdiskriminim dhe stigmatizim të shumicës, dhe padyshim, respektim dhe mbrojtje të pakicës.
Hoxhë Justinian Topulli








