Sirianët denojnë reagimin e dështuar të ndihmës pas tërmetit shkatërrues

Aktivistët sirianë dënojnë mungesën e ndihmës ndërkombëtare për viktimat e tërmetit në rajonin e saj veriperëndimor të goditur rëndë.

Me qindra njerëz të bllokuar, ekipet e shpëtimit janë ankuar për mungesën e ndihmës humanitare ndërkombëtare, e nevojshme dëshpërimisht pas tërmetit shkatërrues që vrau mijëra në Sirinë veriperëndimore.

Ndërsa ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët nga e gjithë bota kanë marrë rrugën për në Turqi, vullnetai mjekësor Obaida Rannoush dënoi mosveprimin e komunitetit global kur bëhet fjalë për vendin e tij.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, vendeve arabe dhe Kombeve të Bashkuara të na ndihmojnë urgjentisht”, tha ai, duke qëndruar pranë pikës kufitare Bab al-Hawa.

“Më shumë se 60 orë pasi ndodhi tërmeti, ka ende qindra të bllokuar nën rrënoja. Ne nuk mund t’i shpëtojmë për shkak të burimeve tona të pakta. Ne kemi nevojë për makineri të rënda, ndihmë humanitare dhe mjekësore”, tha ai.

Deri më tani, ai ka thënë se asnjë kolonë e vetme humanitare nuk ka kaluar kufirin.

“Ne nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme,” tha Rannoush. “Ne jemi duke qëndruar këtu pranë pikës kufitare për të kërkuar ndihmë humanitare që të mund të shpëtojmë disa nga njerëzit nën rrënoja.”

Të mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se po vendos ekipe dhe tre fluturime me furnizime mjekësore në Turqi dhe Siri.

“Nevojat shëndetësore janë të jashtëzakonshme,” tha Dr Iman Shankiti, përfaqësuesi i OBSH-së për Sirinë.

Shumë mijëra janë gjithashtu të plagosur, tha Shankiti, duke shtuar se sistemi shëndetësor sirian ishte tashmë në gjunjë pas vitesh lufte.

Miliona të prekur

Në Sirinë veriperëndimore, reagimi i ngadaltë ndërkombëtar është çështje jete a vdekjeje për qindra të bllokuar ende nën betonin e ndërtesave të shembura.

Mungesa e reagimit ka bërë që dhjetëra gazetarë sirianë të organizojnë një protestë në vendkalimin Bab al-Hawa.

Mazen Alloush, kreu i marrëdhënieve me mediat për kufirin Bab al-Hawa, tha se miliona sirianë janë prekur nga tërmeti dhe pasgoditjet e tij.

“Vendkalimi është mbyllur që nga momenti i tërmetit,” tha ai.

Madevi Sun-Suon, zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha të martën se flukset e ndihmave nga Turqia në veriperëndim të Sirisë janë ndalur përkohësisht për shkak të pasojave nga tërmeti.

“Disa rrugë janë të prishura, disa janë të paarritshme. Ka çështje logjistike që duhet të zgjidhen”, tha ajo.

Funerale por pa ndihmë

Por Alloush i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se rrugët janë të hapura.

“Çdo gjysmë ore apo më shumë ne shohim makina që bartin trupat e njerëzve sirianë që vdiqën në tërmetin në Turqi duke kaluar kufirin në Siri,” tha ai. “Pra, si mund të mbyllen rrugët për ndihma, por të hapen për autokolona funeralesh?

“Ne e dimë se ndihma e OKB-së ruhet në qytetin turk Reyhanli, i cili është vetëm një kilometër larg nga pika kufitare,” shtoi ai.

Deri më tani, trupat e 300 sirianëve të vdekur nga tërmeti në Turqi kanë kaluar në Siri për funerale. Por Alloush tha që që në momentet e para pas tërmetit, Turqia ndaloi marrjen e pacientëve mjekësorë nga Siria dhe gjithashtu i ka ndaluar ekipet vullnetare të kalojnë kufirin.

“Asnjë ndihmë nuk ka hyrë [në Sirinë veriore] përmes asnjë prej korridoreve,” tha për Al Jazeera Abdul Razzak Kentar, menaxher i programeve në Mbrojtjen Civile të Sirisë.

“Vetëm një ekip teknik egjiptian prej 20 personash, përfshirë mjekë pa pajisje, hyri përmes vendkalimit Bab al-Hawa.

“Të gjitha vendkalimet sipas deklaratave zyrtare janë hapur – Bab al-Hawa, Jarabulus dhe Bab al-Salamah. Por sa i përket mbrojtjes civile, deri më tani nuk kemi marrë asnjë ndihmë ndërkombëtare apo jo ndërkombëtare.

“Ne jemi ende duke punuar me rezervat tona dhe me ndihmën e organizatave lokale që veprojnë në veriun e çliruar,” tha Kentar. /aljazeera/mesazhi