Situata me COVID-19, nga nesër pezullohen operimet jo urgjente- vizitat në ambulanta specialistike reduktohen në 50%

Gjatë kësaj jave në Kosovë ka pasur numër të madh të infektuarve me coronavirus.

Kjo rritje e infektimeve ka ndikuar edhe në shtimin e rasteve të hospitalizuara.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se ka rritje drastike të numrit të pacientëve me coronavirus që kërkojmë trajtim spitalor.

Sipas tij çdo ditë po shtrohen në spitale gati 100 pacientë.

Ai thotë se për shkak të kësaj situate do të detyrohen që në spitale të trajtojnë vetëm rastet e rënda, derisa kërkon që pacientët të trajtohen edhe në qendra të mjekësisë familjare.

“Edhe në të kaluarën kemi parë që ka funksionuar mirë trajtimi i pacientëve në QMF”, ka deklaruar Krasniqi në RTV Dukagjini.

Krasniqi thotë se nga dita e hënë në klinikat e QKUK-së do të reduktohen shumë shërbime në mënyrë që mjekët të fokusohen te pacientët me coronavirus, përcjell Telegrafi.

“Nga nesër jemi të detyruar t’i pezullojmë programet elektive (jo emergjente), ndërsa vizitat në ambulanta specialistike do të reduktohen në 50%. Kërkojmë ndjesë edhe ndaj punëtoreve shëndetësorë pasi jemi detyruar të ndërpresim edhe pushimet e tyre vjetore që të kemi personel të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve”, deklaroi ndër të tjera Valbon Krasniqi.

Drejtori i SHKUK-së thotë se për herë të parë në Klinikën e Pediatrisë janë të shtruar 10 fëmijë të prekur me coronavirus.