“Situata në Bregun Perëndimor është e rrezikshme”

Zëdhënësi i Presidencës Palestineze ka deklaruar se situata në Bregun Perëndimor është e ndjeshme, e rrezikshme dhe se ka arritur në një pikë gati për të shpërthyer

Presidenca Palestineze ka theksuar se situata në Bregun Perëndimor është e rrezikshme, e ndjeshme dhe gati për të shpërthyer dhe në lidhje me destabilitetin ka bërë përgjegjës Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Presidencës Palestineze, Nabil Abu Rudeineh, bëri një deklaratë me shkrim lidhur me humbjen e jetës së dy palestinezëve si pasojë e hapjes së zjarrit nga forcat izraelite në qytetet Nablus dhe Betlehem të Bregut Perëndimor.

Ai vuri në dukje se Izraeli duke vrarë palestinezët çdo ditë, përshkallëzon tensionin dhe shkakton tronditjen e stabilitetit.

Duke tërhequr vëmendjen se politikat provokuese të Izraelit përshkallëzojnë tensionin, Abu Rudeineh deklaroi se situata është e ndjeshme, e rrezikshme dhe se ka arritur në një pikë gati për të shpërthyer.

“Forcat pushtuese izraelite, çdo ditë kryejnë vrasje të pakontrolluara kundër popullit të Palestinës. Që nga fillimi i vitit e deri më sot kemi 37 dëshmorë. Gjithashtu ka edhe krime të kryera nga kolonët hebrenj”, tha Abu Rudeineh.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mjaftohet me politikën e dënimit, Abu Rudeineh u shpreh se vendimet e legjitimitetit ndërkombëtar kërkojnë zbatim.

Tensionet në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar kanë arritur kulmin, për shkak të arrestimeve dhe kontrolleve të gjera që ushtria izraelite ka filluar që nga fillimi i marsit.