Pas largimit të kryetarëve të tri komunave në veri – Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, situata atje është e qetë.
Në një lidhje direkte në “Këndi i Debatit”, gazetarët e Tëvë 1, bëjnë të ditur se zyrtarët policorë po qëndrojnë në afërsi të objekteve komunale, teksa tani ka lëvizje të pakët të qytetarëve.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe i pari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi tashmë janë larguar nga objektet e komunës. Gjatë ditës ata hasën në vështirësi për të filluar punën e tyre, pasi u penguan nga serbët lokal.
Në këto protesta të qytetarëve serbë, pati edhe vendosje të barrikadave dhe gjuajtje me gurë në drejtim të Policisë së Kosovës.
Situatën e krijuar në veri të vendit e kanë dënuar fuqishëm Bashkimi Evropian, teksa kanë theksuar se nuk do pranojnë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe provokues.
Reagim për situatën në veri ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë. Ai po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja dënon “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.
Ndërsa nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se veprimet në veri do kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën
Të një mendimi kanë qenë edhe Franca dhe Gjermania.
Teksa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale në veri janë legjitime.
Situata në veri është tensionuar që nga mesdita e sotme, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë dje kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.
Në këto protesta janë lënduar pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, derisa janë dëmtuar 4 vetura.