Skllevërit

Sejjid Kutb (r.a)

Nuk janë skllevër ata që nënshtrohen për shkak të rrethanave shoqërore dhe ekonomike, ku zotërinjtë bëjnë çtë duan me ta, si të ishin mall dhe gjë e gjallë! Skllevër janë ata që nuk vuajnë nga rrethana të vështira shoqërore dhe ekonomike, por me dëshirë dhe bindje kanë zell të robërohen.

Këta skllevër kanë shtëpi e katandi, kanë pasuri dhe mjete prodhimi, askush nuk ka pushtet mbi pasurinë dhe shpirtin e tyre… megjithatë ata nxitojnë për tek portat e pushtetarëve, bërtasin me të madhe për robëri dhe shërbim ndaj tyre, i vendosin me duart e veta prangat në qafat e tyre dhe hekurat në këmbët e tyre, madje e veshin uniformën e robërimit me mallëngjim dhe krenari!!

Skllevërit janë ata që gumëzhijnë tek portat e pushtetarëve, ku nëpërmjet tyre shikojnë sesi ata i shkelin skllevërit me thembra, sesi i flakin pasi i përdorin pas asnjë tërheqje vëmendje dhe paralajmërim, sesi i përulin kokat e tyre dhe zotërinjt kalojnë mbi qafat e tyre, sesi jepet urdhri për t`i flakur jashta, por, megjithatë skllevërit gjallojnë para portave të tyre, ofrojnë shërbime ndaj zotërinjëve dhe jo ndaj atyre që flaken në rrugë!

Sa më shumë të përçmohen nga zotërinjtë e tyre aq më tepër u zhtohet madhërimi dhe zukatjet, si të ishin miza!

Skllevërit janë ata që frikësohen nga liria dhe arratisen me dëshirë prej saj. Sapo ndonjë zotëri i tyre i përze kërkojnë një tjetër, pasi në shpirtin e tyre vlon nevoja e domosdoshmë për robërim, pasi ata kanë një shqisë tjetër të gjashtë, apo të shtatë, shqisa e poshtërimit. Ata e kanë të nevojshme ta shuajnë etjen e kësaj shqise, prandaj nëse askush nuk i robëron, shpirtrat e tyre kanë etje dhe uri të madhe për robërim, kjo i bën që të vrapojnë drejt dyerve, përpëliten dhe lëpihen pas tyre, mezi presin një shenjë me gisht nga zotërinjtë që të përkulen deri në tokë

Skllevërit janë ata, të cilët kur u jepet lira apo lihen të lirë kanë zili dhe mëri të madhe ndaj skllevërve që janë në stallë. Ata nuk kanë zili njerëzit që vërtetë janë të lirë, pasi liria i tmerron ata, fisnikëria është një peshë shumë e madhe që nuk e mbajnë dot leqet e këmbëve të tyre, pasi brezi (rrypi) i shërbimit ndaj pushtetarëve është shenja e nderimit dhe krenarisë së tyre, shkopi që mban rrobat e nënshtrimit dhe shërbimit, mbart rrobat më fisnike të cilat i dashurojnë me ashk!

Skllevërit janë ata që zgjedhën nuk e ndjenë në qafë por në shpirt, nuk ua ndez lëkurën e shpinës goditja me kamxhik por shpirti i përvëlohet nga kamxhikët e poshtërimit, nuk tërhiqen nga prangat në qafa të tregtarëve të tyre, por tërhiqen vetë pasi shitjen e vetes e kanë brenda në gjak!

Skllevërit janë ata të cilët e realizojnë veten e tyre vetëm nën prangat e robërisë dhe në stallat e tregtarëve të tyre. Nëse ata lihen të lirë në dhëmbët e jetës, ata humbasin në mesin e shoqërisë, frikësohen të përballen me dritën, prandaj kthehen me dëshirë dhe të përunjur duke trokitur tek portat e stallës së skllavërisë, u përgjërohen rojtarëve që t`ua hapin portat!

Përskaj kësaj, këta skllevër janë zullumqar mbi tokë, të ashpër dhe mizorë ndaj njerëzve të lirë, me vullnetarizëm u shkaktojnë dhimbje njerëzve të lirë, përjetojnë kënaqësi dhe ekstazë kur ndëshkojnë dhe dhunojnë njerëzit e lirë, shpresa që kanë për njerëzit e lirë është si shpresa e xhelatëve për prenë e tyre!

Skllevërit nuk i perceptojnë dot motivet e njerëzve të lirë për lirinë, rrjedhimisht e perceptojnë dëshirën për liri si rebelizëm, ngritjen e zërit e konsiderojnë dalje nga normaliteti dhe anarki, krenarinë e perceptojnë si krim, prandaj e derdhin të gjithë arsenalin e urrejtjes së ngurtë mbi njerëzit e lirë dhe krenarë, të cilët nuk u bashkangjiten karvanit të robërisë! Ata konkurrojnë me njëri-tjetrin në shpikjen e metodave të dhunimit të njerëzve të lirë, konkurrojnë për të kënaqur zotrinjtë e tyre, por këta të fundit u vënë shkelmin dhe i përzejnë nga shërbimi, pasi mendësia e zotërinjëve të tyre molepset nga përsëritja e lojës nga të njëjtët lojtarë, prandaj i ndryshojnë me disa prej atyre që qëndrojnë dhe presin me padurim në dyert e tyre për të shërbyer…

Sado e zymtë të duket gjendja, nuk ka dyshim se e ardhmja u përket njerëzve të lirë, ardhmëria u përket njerëzve të lirë dhe jo robërve dhe as zotërinjve, në këmbët e të cilëve zhgërryhen skllevërit. E ardhmja u përket njerëzve të lirë, pasi lufta e njerëzimit në rrugën e lirisë nuk humbet kurrë, pasi stallat e shkallmura dhe të shkatërruara të skllevërve nuk do të ngrihen më, pasi vargonjtë e këputur të robërisë nuk do të lidhen më!

Është e vërtetë se numri i skllevërve rritet, mirëpo numri i njerëzve të lirë kur bashkohet me popullin dhe i bashkangjiten karvanit të lirisë, normalisht që populli do të largohet nga karvani i robërisë. Nëse skllevërit do të donin t`i bashkangjiteshin anijes së lirisë do ta bënin, pasi grushti i xhelatëve nuk i mban dot frerët dhe kapistrat, ndërsa ata që kanë mbetur prej tyre nuk kanë forcë të udhëheqin karvanin e skllevërve. Do të shpëtonin, nëse ata, siç thashë, nuk do të shkonin dhe të trokisnin në dyert e stallava, të përkulur dhe të gatshëm për vendosjen e kapistrës në hundët e tyre.

Karvani i lirisë ecën pandalim, rrugës i bashkangjiten me mijëra dhe miliona…

Kot mundohen xhelatët të pengojnë rrugëtimin e këtij karvani, apo për ta përçarë nëpërmjet skllevërve, kot lëshohen kamxhikët e skllevërve edhe pse shqyejnë lëkurat e njerëzve të lirë, kot mundohen ta trondisin karvanin e lirisë, i cili ka shkatërruar pengesat e mëdha, ka eliminuar shkëmbinj dhe para rrugës së tij kanë mbetur vetëm ferra!

Janë hapa që hidhen njëri pas tjetrit. Përvojat e mëparshme kanë treguar se sa herë ka pasur beteja mes lirisë dhe robërisë, fitorja ka qenë për lirinë. Mundet që grushti i lirisë të përgjaket, mirëpo goditja e saj ka qenë përfundimtare dhe në favor të saj. Ky është Ligji i Allahut mbi faqen e dheut! Liria është synimi afatgjatë i të ardhmes, ndërsa skllavëria është kthim në humnerën e të shkuarës!

Karvani i robërisë gjithmonë përpiqet për ta penguar tufanin e lirisë, mirëpo ky karvan nuk ka mundur ta shqyejë këtë tufan as atëherë kur kishte të gjithë kopenë e skllevërve dhe karvani i lirisë nuk kishte vetëm se disa individë në kyre, atëherë çfarë mund të thuhet për sot për një grush skllevërisht, a mund të pengojën një tufan që përfshin të gjithë njerëzimin?!

Megjithëse kjo është një e vërtetë absolute, ka edhe një të vërtetë tjetër, e cila është me vend. Karvani i lirisë patjetër do të ketë heronj, patjetër karvani i robërisë do të shqyej disa pjesë të karvanit të lirsë, kamxhikët e skllevërve patjetër do të godasin shpinën e njerëzve të lirë, patjetër që liria ka përgjegjësi dhe detyrime.

Skllavëria ka viktimat e saj, të cilët me vetëdije bëhen skllevër, atëherë, a nuk duhet që liria të ketë martirët e saj, duke ditur se çmimi i saj është liria!

Kjo është një e vërtetë dhe ajo është një e vërtetë, mirëpo fundi dihet, qëllimi është i qartë, rruga është e hapur, përvojat janë të shumta. Mos të merremi me karvanin e skllevërve dhe robërve, të cilët ndjehen të qetë në mesin e tyre, të zbukurohen me vargonjtë dhe të gëzohen me florinjtë përreth qafës.

Ne duhet t`i bashkangjitemi karvanit të njerëzve të lirë, i cili ka koka që kanë si zbukurim sakrificën, në gjokset e tyre janë brezat e krenarisë dhe fisnikërisë, ti ndjekim hapat e këtij karvani, i cili ecën me maturi në rrugën e shtruar me ferra, ndërkohë që ne kemi bindjen për fundin, e nuk ka dyshim se fundi i mirë u përket durimtarëve”.

Autor: Sejjid Kutubi

Përktheu: Rushit Musallari