Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sllovenia kufizon furnizimin me karburant për qytetarët në 50 litra në ditë,...

Sllovenia kufizon furnizimin me karburant për qytetarët në 50 litra në ditë, ushtria përfshihet në shpërndarje

Që nga mesnata është në fuqi vendimi për kufizim të përkohshëm të furnizimit me karburant në pikat e karburantit në Slloveni, me qëllim të reduktimit të problemeve në furnizimin me derivatet e naftës, transmeton Anadolu.

Sipas masave të miratuara, në stacionet e karburanteve është e lejuar që çdo individ të furnizohet me maksimum 50 litra karburant në ditë, ndërsa për personat juridikë dhe individët që ushtrojnë veprimtari, përfshirë bujqësinë, lejohet deri në 200 litra. Kufizimet do të vlejnë deri në njoftim të mëtejshëm.

Në shpërndarjen e karburantit është përfshirë edhe ushtria sllovene, e cila do të ndihmojë në transport dhe furnizim. Autoritetet u kanë kërkuar distributorëve të koordinojnë dërgesat nga magazinat deri te pikat e karburantit për të përshpejtuar furnizimin dhe rritur efikasitetin e shpërndarjes.

Tregtarët e karburantit janë të detyruar të dorëzojnë raporte të rregullta qeverisë mbi gjendjen në stacionet e karburantit, në bazë të të cilave autoritetet do të vendosin për masa të mundshme shtesë.

Kryeministri Robert Golob ka njoftuar se po shqyrtohen edhe masa që do të kufizonin veçanërisht shitjen e karburantit për shtetasit e huaj dhe ka rekomanduar që tregtarët të përgatitin hapa të përshtatshëm në këtë drejtim.