Çdo ditë e re përplasjesh, e shton rrezikun që situata të dalë jashtë kontrollit
Deputeti socialist, njëherazi ish-Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke iu përgjigjur kritikave për ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve, deklaroi të mërkurën: “Nuk e kam pranuar që janë vrarë 4 njerëz në një protestë të lirë qytetare. Ke të drejtë të protestosh, por por e tejkalove masën, do të përgjigjet policia”.
Ai shtoi se, gjatë më shumë se 100 ditëve të protestave në Tiranë, sjellja e shtetit dhe e policisë kishte qenë korrekte, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të shndërrohet në mbështetje për dhunën ndaj institucioneve.
Por përtej përplasjes politike dhe mënyrës se si mazhoranca përpiqet të mbrojë qëndrimin e saj, ekziston një rrezik që nuk mund të relativizohet dhe as të trajtohet si argument për luftën partiake, mundësia që një konflikt i përsëritur në rrugë të përfundojë me viktima.
Tri ditët e fundit kanë treguar se sa shpejt mund të përshkallëzohet një protestë dhe sa e brishtë mund të bëhet vija ndarëse mes demonstrimit, përplasjes dhe dhunës së pakontrolluar.
Çdo orë dhe çdo ditë që kalon me përplasje të tilla, e rrit rrezikun që situata të dalë jashtë kontrollit, qoftë për shkak të veprimeve të protestuesve, të reagimit të policisë apo të ndërthurjes së të dyjave.
Në një klimë të tillë, mjafton një vendim i gabuar, një reagim i tepruar apo një incident i paparashikuar që pasojat të bëhen të pakthyeshme.
Dhe atëherë nuk do të diskutojmë më për gurë, molotovë, dyer të dëmtuara, të plagosur apo për përgjegjësinë politike të njërës dhe tjetrës palë. Do të flasim për jetë të humbura njerëzish.
Për familje që mund të humbasin një fëmijë, një prind apo një të afërm, ndërsa politika do të nisë betejën e zakonshme për të përcaktuar se kush e ka fajin.
Ky është skenari që nuk duhet ta dëshirojë askush me mendje normale, sigurisht përveç atyre që për interesa të errëta, do ta shihnin tragjedinë si një mundësi për të goditur kundërshtarin.
Pikërisht këtu merr kuptim kujtimi i 21 Janarit 2011. Atëherë, katër qytetarë u vranë gjatë një proteste përpara Kryeministrisë.
Për socialistët, ajo ngjarje është një plagë historike, por sot ata janë në pushtet dhe kanë përgjegjësinë të tregojnë se mësimet e së kaluarës nuk vlejnë vetëm kur janë në opozitë.
Kujtimi i katër viktimave nuk mund të përdoret për të relativizuar dhunën e sotme, as për të krijuar përshtypjen se çdo pasojë është e pranueshme për sa kohë nuk ka të vdekur.
Sigurisht, edhe protestuesit kanë përgjegjësinë të mos sulmojnë njerëzit dhe institucionet. Por përgjegjësia e policisë është e veçantë.
Ajo duhet të ruajë rendin, të mbrojë qytetarët dhe të përdorë forcën vetëm brenda kufijve të ligjit dhe të proporcionalitetit. Asnjëra palë nuk duhet ta trajtojë përshkallëzimin si një provë force ku tërheqja shihet si humbje.
A duan socialistët të shmangin një ’21 Janar’ të dytë? Deklarata e Xhafajt mund të lexohet si një paralajmërim se nuk duhet lejuar përsëritja e një tragjedie të tillë.
Por kjo nuk mjafton. Shmangia e saj kërkon uljen e menjëhershme të tensioneve, frenimin e çdo forme dhune dhe garantimin e së drejtës për protestë.
Sepse, nëse përplasjet vazhdojnë, pyetja nuk do të jetë më kush fitoi betejën politike të ditës, por nëse mund të ishte bërë diçka për të mos humbur jetë njerëzish.
Dhe kjo është një pyetje së cilës asnjë deklaratë e mëvonshme nuk mund t’i japë një përgjigje ngushëlluese. /tesheshi.com/





