Sondazh në Kanada, shumica mbështesin rikthimin e dënimit me vdekje

Shumica e të anketuarve në sondazhin e fundit të opinionit publik në Kanada mbështesin rikthimin e dënimit me vdekje, raporton Anadolu.

Sondazhi është zhvilluar nga qendra “The Research Co” ndërsa 54 për qind e të anketuarve thanë se mbështesin rikthimin e dënimit me vdekje dhe se ai duhet të vendoset ndaj atyre që i marrin jetën dikujt me vrasje.

Provinca e Albertës kryeson me 62 për qind të të anketuarve në favor të rikthimit të dënimit me vdekje ndërsa në Quebec, 43 për qind e të anketuarve e mbështesin një ide të tillë.

Kreu i qendrës “The Research Co”, Mario Canseca tha se rreth tre të pestat e kanadezëve të moshës 55-vjeç e lart mbështesin idenë e kthimit të dënimit me vdekje.

Kanadaja hoqi dënimin me vdekje në vitin 1976. Sipas të dhënave zyrtare, dënimi i fundit me vdekje në Kanada është kryer në vitin 1962.