Sonte derbi Inter-Milan

Derbi i qytetit të Milanos do të luhet shumë herët këtë edicion. Të dyja ekipet, Interi dhe Milani, kanë nisur në mënyrë të përkryer edicionin në tri ndeshjet e para. Kanë shënuar nga tri fitore dhe kanë shfaqur futboll të mirë, falë edhe transferimeve që i kanë bërë në verë. Të shtunën do të luhet ndeshja e zjarrtë, dhe do të nisë në ora 18:00.
I takon xhiros së katërt të elitës së futbollit të Italisë. Para pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve, Milani mposhti Romën e Jose Mourinhos me rezultatin 2:1, kurse Interi triumfoi thellë ndaj Fiorentinës, 4:0. “Derby della Madonnina” gjithmonë dhuron atmosferë të veçantë. Napoli doli kampion i edicionit të fundit, ndërsa dy edicionet e mëparshme të tjera ishin fituar nga ekipet e Milanos.

“Nerazzurrët” triumfuan në sezonin 2020/21, ndërsa Milani në sezonin 2021/22.

Në ndeshjet e ndërsjella, Interi i ka fituar pesë nga gjashtë takimet, përfshirë edhe dy në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar. Interi, megjithatë, në finale ishte mposhtur nga Manchester City. Christian Pulishiq ka qenë një prej lojtarëve më në formë te Milani në start të këtij edicioni. Ai shënoi dy gola në tri ndeshjet hapëse, dhe ka bërë menjëherë tifozët për vete. Pulishiq u transferua te Milani nga skuadra e Chelseat.

Forca e madhe e Milanit në sulm mund të jetë test i vështirë për mbrojtjen e Interit, që ende nuk ka pësuar gol në edicionin e ri të futbollit italian.

Edhe Interi është përforcuar në këtë edicion, përfshirë edhe sulmuesin Marcus Thuram. Thuram erdhi nga Borussia Moenchengladbach, si futbollist i lirë. Ai shënoi golin e tij të parë me Interin kundër Fiorentinas, ndërsa ka kontribuuar me tri asistime.

Është djali i Lilian Thuramit, që kishte luajtur si mbrojtës te Parma dhe Juventusi, ndërsa e kishte fituar Kupën e Botës me Francën në vitin 1998.

Fituesi tjetër i Botërorit në skuadrën e Interit është Lautaro Martinez, që ka pesë gola të shënuar. Ai kishte shënuar dy gola kundër Milanit në sezonin e kaluar.

Duel tjetër i fortë në këtë fundjavë do të jetë ai mes Juventusit dhe Lazios. Kjo ndeshje luhet në Torino të shtunën dhe nis në orën 15:00. Të shtunën luan edhe kampioni i Italisë, Napoli, që e viziton Genoan nga ora 20:45.