Sot dita e fundit për deklarimin e koalicioneve

Edhe sot kohë për koalicione parazgjedhore.

Partitë politike të cilët do të hyjnë në zgjedhje në koalicion me një parti tjetër sot e kanë ditën e fundit për ta deklaruar atë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) ishin partitë e para që nënshkruan marrëveshje në mënyrë që të kenë një listë të përbashkët me kandidatë për deputetë.

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) ishte koalicioni i dytë që iu prezantuar qytetarëve të vendit, ndërsa këtyre iu është bashkuar edhe Partia e Drejtësisë.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) janë duke punuar intensivisht, siç thonë nga të dy kampet, për të arritur një marrëveshje koalicioni, transmeton “RTV21”.

Mirëpo, fakti se kujt do t’i takojë mandatari për kryeministër duket se është aktualisht pika ndarëse mes dy partive.Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë nga 25 shtator deri më 4 tetor.