Sot përfundon afati për ankesa në PZAP

Sot mbyllet afati që subjektet politike dhe kandidatët të dorëzojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Deri mbrëmë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), janë parashtruar 15 ankesa nga kandidatë të ndryshëm të subjekteve politike të cilat kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për rezultatin zgjedhor. Mul Desku nga PZAP i tha KosovaPress-it se pretendimet e këtyre kandidatëve janë se iu është bërë e pa drejtë me rezultatin zgjedhor.

Ndërsa, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) Veton Berisha sot do të dërgojë një ankesë në PZAP, për shkak të orkestrimit të votave të Listës Serbe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Ai ka bërë të ditur se pjesë e ankesës do të jenë edhe partitë e tjera të komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Ndryshe, PZAP do të ketë kohë tri ditë për të marrë vendim rreth këtyre ankesave. Nëse palët janë të pakënaqura me vendimet e PZAP, atëherë mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme.