Sot seanca gjyqësore për kishën në Kampusin e UP-së

Sot do të mbahet seanca përgatitore për rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim të pronës në kampus, ku edhe gjendet kisha.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo ka thënë se seanca pritet të fillojë nga ora 10:00.

“Po, seanca pritet të fillojë nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për këtë çështje”, ka thënë Gashi.

Çështja e të drejtës së shfrytëzimit së tokës në kampusin universitar të UP-së, ka qenë objekt i gjykimit që nga viti 2012.

Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pasi dështuan të paraqiten në gjykatë në seancën për këtë kontest në vitin 2015.

Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i dha të drejtë kishës për pronësinë e tokës duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.

Në po atë vit, universiteti inicioi një padi të re për të cilën nuk u mbajt asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 25 mars, përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi kishte kërkuar shtyrjen e procesit me qëllim të grumbullimit të provave.

Kjo pasi sipas tij, në mungesë të dokumenteve të kadastratit për vitet e 90-ta, ka qenë e vështirë të grumbullohen provat që tregojnë se si toka kishte kaluar në shfrytëzim të kishës.

UP-ja në këtë rast, pretendon se tokën që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar që nga viti 1975.

Kelmendi nuk i është përgjigjur pyetjeve lidhur me grumbullimin e këtyre provave, duke e quajtur “procesin të ndjeshëm”.