Stacioni i ri i karikimit V4 të Tesla shfaqet në Francë

Tesla kohët e fundit e hapi stacionin e saj të dytë Supercharging në Evropë të pajisur me pika V4, të projektuara për të karikuar jo vetëm veturat elektrike të Tesla, por edhe veturat e markave të tjera.

Stacioni i ri, me vendndodhje në Clermont-Ferrand të Francës, ka 12 hapësira individuale, duke përfshirë edhe një për veturat më të mëdha ose ato me rimorkio.

Kujtojmë se stacioni i parë Supercharging i Tesla-s me hapësira V4 u hap më 15 mars 2023 në Holandë dhe më 8 prill kompania e vuri në dispozicion edhe për veturat elektrike të cilat nuk i përkasin markës amerikane, raporton InsideEVs.

Është interesante se ekziston një lloj strukture çeliku e përgatitur për një instalim pikash në të ardhmen e që ka shumë të ngjarë që një prej tyre të jetë diellore.

Fotot e stacionit të ri u shpërndanë në rrjetet sociale nga Esther Kokkelmans, influencuesja dhe themeluesja e “Tesla diva’s Europe”.