Stamboll, namazi i parë i sabahut në Ajasofja pas hapjes

Në Xhaminë e Madhe Ajasofja (Ayasofya-i Kebir Cami-i Şerifi) në Stamboll, është falur namazi i parë i sabahut pas 86 vitesh, raporton Anadolu Agency (AA).❮❯

Stamboll, namazi i parë i sabahut në Ajasofja pas hapjes

Shumë muslimanë nga të gjitha pjesët e Turqisë, por edhe vendeve të tjera, pas thirrjes së ezanit, të cilët natën e kaluan në sheshin para xhamisë, nxituan për të falur namazin e sabahut në Ajasofja.

Gjatë faljes i pranishëm ishte edhe guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, kurse namazit i priu muftiu i Stambollit Mehmet Emin Maşalı.

Njëkohësisht, zyrtarët e Kryesisë së Çështjeve Fetare u kujdesën që të pranishmit të respektojnë rekomandimet e masave të distancës me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. 

Një numër i madh besimtarësh mbetën jashtë xhamisë, për çka u ndërmorën masa shtesë të sigurisë.

Ajasofja, sipas urdhëresës së presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, do të jetë e hapur 24 orë.

 Perla e Stambollit shërbeu si kishë për 916 vjet deri në çlirimin e Stambollit, dhe si xhami nga viti 1453 deri në 1934, gati 500 vjet, dhe së fundmi si muze për 86 vjet.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe udhëheqësit e tjerë turq prej kohësh kanë shprehur idenë që ajo të kthehet në xhami funksionale, e hapur për namaz.

Gjykata turke anuloi dekretin e vitit 1934 e cila e shndërroi Ajasofjen në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj si xhami.

Në epokën e re për Ajasofjen, Kryesia e Çështjeve Fetare në Turqi do të mbikëqyrë shërbimet fetare në xhami, ndërsa Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të mbikëqyrë punën e restaurimit dhe konservimit.

Turistët do të jenë në gjendje sërish të vizitojnë Ajasofjen, pa pagesë, kurse afresket në mure do të mbulohen me perde vetëm gjatë namazeve.