Strudel me mollë nga duart e arta të Linda Fishtës

Përbërësit për brumin frola:
125 g gjalpë i butë si krem
125 g sheqer pluhur
1 bustinë vanilje
1/2 limon organik – vetëm lëkura e grirë në rende
1 lugë qumësht
1 kokërr vezë
250 g miell
4 g sodë për ëmbëlsira
1 majë thike kripë

Përbërësit për mbushjen:
2-3 mollë
30 g sheqer
30 g galetë (bukë e thekur, e grirë dhe e skuqur me pak gjalpë në tigan)
10 g fara pishe
1 bustinë vanilje
1/2 lugë e vogël kanellë
1 limon organik – lëkura e grirë në rende
1 kokërr vezë për ta lyer sipër

Përgatitja: Përgatitim brumin frola në një tas, duke përzier me shpejtësi me lugë druri gjalpin me sheqerin, lëkurën e limonit dhe vaniljen. Shtojmë vezët, qumështin, miellin, kripën dhe sodën me sitë. E përziejmë me dorë derisa të përftojmë një brumë homogjen. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 30 minuta. Qërojmë mollët, i presim në feta të holla dhe i hedhim në një tas, ku i përziejmë me sheqerin, galetën, farat e pishës, vaniljen, kanellën dhe lëkurën e limonit. Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Mbi letrën e furrës hapim brumin (lëmë një copë të vogël brumë mënjanë) me petës dhe pak miell dhe ashtu, bashkë me letër, e transferojmë në tavën e madhe të furrës. Shpërndajmë mbushjen në mes dhe palosim sipër pjesët anësore të petës. E lyejmë sipër me penel me vezën e rrahur më parë me pirun. Me brumin që lamë mënjanë, bëjmë forma të ndryshme dhe e zbukurojmë sipër. E vëmë të piqet për rreth 30 minuta.
Kur të ftohet, e spërkasim me sheqer pluhur dhe më pas e shërbejmë me pana jo shumë të rrahur.