​Studimi: Virusi i zakonshëm mund të shkaktojë drejtpërdrejt kancerin e lëkurës

Një lloj i papillomavirusit njerëzor (HPV) që gjendet zakonisht në lëkurë mund të shkaktojë një formë të kancerit të lëkurës, sipas një studimi të ri.

Studimi, i botuar në New England Journal of Medicine, zbuloi se ky lloj HPV, beta-HPV, që më parë mendohej se kontribuonte vetëm në kancerin e lëkurës, në fakt mund ta shkaktojë atë drejtpërdrejt.

“Virusi u replikua në një mënyrë disi të pakontrolluar dhe përfundoi duke u integruar në qelizat e lëkurës dhe pasi e bënë këtë, ato u bënë kancerogjene,” tha Andrea Lisco, autore kryesore e studimit.

Hulumtuesit kanë raportuar një rast të një gruaje 34-vjeçare, karcinoma qelizore skuamoze e së cilës, një lloj kanceri i lëkurës, i rikthehej vazhdimisht në ballin e saj pavarësisht trajtimeve të shumta.

Mjekët fillimisht dyshuan për dëmtime nga dielli dhe një sistem imunitar të dobët, por më vonë zbuluan se virusi beta-HPV ishte futur në ADN-në e qelizave të lëkurës së saj dhe po prodhonte proteina virale, duke marrë kontrollin e qelizave.

Kjo është hera e parë që beta-HPV është treguar se sillet në këtë mënyrë, duke sfiduar bindjet e mëparshme se virusi nuk ka gjasa të shkaktojë efekte të tilla tek njerëzit.

Rreth 90% e njerëzve mbajnë një lloj të beta-HPV, i cili zakonisht jeton në lëkurë pa u integruar në ADN-në e qelizave të lëkurës.

Lisco deklaroi se beta-HPV është i zakonshëm dhe transmetohet lehtësisht përmes kontaktit të përditshëm, por një sistem imunitar i shëndetshëm e mban atë nën kontroll, transmeton Anadollu.

“Ky zbulim mund të ndryshojë plotësisht mënyrën se si mendojmë për zhvillimin, dhe rrjedhimisht trajtimin, e cSCC te njerëzit që kanë një gjendje shëndetësore që kompromenton funksionin imunitar”, shtoi Lisco.