Stuhia përmbyt tendat e kampit, mijëra të zhvendosur në Gaza kalojnë natën nën shi

Në Rripin e Gazës, mijëra familje të zhvendosura kaluan natën nën shi dhe mes përmbytjeve pasi çadrat (tendat) e tyre nuk i rezistuan stuhisë së fuqishme. Në kampin e Maghazit, Maazen Abu Drabi u zgjua natën kur uji hyri në çadrën e tij të vjetruar, duke lagur rrobat, ushqimin dhe sendet e fëmijëve.

Rreth 300 mijë familje jetojnë në çadra në të gjithë Gazën, pasi mbi dy milion njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023. Shumë prej tyre jetojnë në kushte të rënda, pa mbrojtje nga shiu dhe era, ndërsa çadrat janë dëmtuar nga përdorimi i gjatë dhe nga mungesa e materialeve të reja.

Përmbytjet goditën kampet në Deir el-Balah, Nuseirat, Maghazi dhe zonën e Mawasit, duke shkatërruar disa prej tyre. Familjet u përpoqën të shpëtonin çfarë të mundnin, ndërsa fëmijët e zbathur ecnin në baltë.

Shumë banorë nuk kanë ku të kthehen, pasi 83% e shtëpive në Gaza janë shkatërruar, sipas një raporti të OKB-së. Për më tepër, Izraeli ndalon mijëra familje të rikthehen në zonat e tyre përtej të ashtuquajturit “vija e verdhë”, edhe pse është shpallur armëpushim.

Stuhia ka rrezikuar jo vetëm çadrat, por edhe shtëpitë gjysmë të rrënuara që mund të shemben nga lagështia. Autoritetet lokale raportojnë se disa ndërtesa të dëmtuara kanë nisur të çahen e të shemben.

Sipas OKB-së, mbi dy milion njerëz janë tani të ngjeshur në më pak se gjysmën e territorit të Gazës dhe shumica e tyre mungojnë strehim të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga moti i keq.