Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sulmet ajrore godasin Kordofanin dhe Darfurin në Sudan

Sulmet ajrore godasin Kordofanin dhe Darfurin në Sudan

Ushtria sudaneze dhe forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë shkëmbyer sulme ajrore të hënën në perëndim dhe jug të Sudanit, sipas një burimi ushtarak dhe dëshmitarëve okularë.

Në rajonin e Darfurit, sulmet e ushtrisë goditën qytetin Zalingei, një nga pesë kryeqendrat e rajonit të gjerë që kontrollohet nga RSF-ja. Dy dëshmitarë thanë se panë tym dhe flakë që dilnin nga një ndërtesë. Një burim ushtarak konfirmoi se objekti i goditur ishte një depo e RSF-së.

Në rajonin fqinj të Kordofanit, një sulm me dron i RSF-së goditi qytetin Dilling, ku ushtria kohët e fundit kishte thyer rrethimin e vendosur nga forcat paraushtarake. Sipas burimit ushtarak, sulmi preku një ndërtesë ku ndodhej agjencia qeveritare për ndihma humanitare, pa dhënë detaje të tjera.

Qyteti Dilling ka qenë në vijën e parë të frontit që nga fillimi i luftës në prill të vitit 2023. Ushtria njoftoi se po vazhdon avancimin drejt qytetit Kadugli, kryeqendra e Kordofanit Jugor, pasi javën e kaluar hapi dy korridore humanitare rreth Dillingut.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 80 për qind e popullsisë së Kaduglit, afërsisht 147 mijë persona, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Pas rënies së El-Fasherit në tetor, bastioni i fundit i ushtrisë në Darfur, forcat RSF kanë përqendruar operacionet e tyre në Kordofan. Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatë, Jan Egeland, e përshkroi Kordofanin Jugor si “vija më e rrezikshme dhe më e neglizhuar e frontit në Sudan”.

Ai paralajmëroi se qytete të tëra po përballen me uri, duke detyruar familjet të largohen pa asgjë, ndërsa OKB-ja ka theksuar rrezikun e përsëritjes së mizorive të përjetuara në El-Fasher.

Lufta mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur rreth 11 milionë njerëz, duke krijuar, sipas OKB-së, krizën humanitare më të rëndë në botë. /mesazhi