Shkatërrime të mëdha përfshinë pjesë të lagjes Dahiyeh në periferinë jugore të Bejrutit, pas një vale të rëndë sulmesh ajrore izraelite që rrafshuan blloqe banimi, raporton Anadolu.
Aeroplanët luftarakë kanë kryer disa sulme ajrore në qytete dhe fshatra në të gjithë Libanin jugor ditët e fundit, si dhe në periferinë jugore të Bejrutit, që konsiderohet një bastion i Hezbollahut.
Sulmet në rritje vijnë mes përshkallëzimit të armiqësive midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Dje, ushtria izraelite tha se nisi sulme të reja ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, pasi kishte paralajmëruar mijëra banorë të evakuonin zonën.
Ushtria izraelite ka kryer një seri sulmesh ajrore në të gjithë Libanin që nga e hëna, duke vrarë të paktën 120 persona dhe duke plagosur gati 700 të tjerë, pas sulmeve ndërkufitare nga grupi libanez Hezbollah.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që nga fundjava e kaluar, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit, duke vrarë të paktën 1 mijë persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme të gjera me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.



