Sulmet nga regjimi dhe Rusia vrasin 10 civilë në Sirinë veriore

Të paktën 10 civilë u vranë në sulmet e kryera nga forcat ruse dhe të regjimit në zonën e deeskalimit në Sirinë veriore, thonë nga Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha), raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Mustafa Haj Yusuf, kryesues i Helmetave të Bardha në provincën e Idlibit, 10 persona u vranë në sulmet ajrore të kryera të mërkurën në mbrëmje.

Sulmet artilerike dhe ajrore goditën zonat e banuara në qytetet Khan Sheikhoun, Maarat Al-Numan, Bidama dhe Madaya në provincën e Idlibit si dhe fshatit Maaret Herma.

Sulmet gjithashtu goditën edhe qytetet Ltamenah dhe Kafr Zita në provincën Hama.

Mohamed Katoub, një zyrtar i Shoqatës Mjekësore Siriane-Amerikane për AA tha se një infermiere dhe një shofer i ambulancës u vranë në sulmet ajrore në një qendër mjekësore në Maaret Herma.

Katoub tha se qendra mjekësore u godit nga 17 sulme ajrore.

Në ndërkohë, burime nga Helmetat e Bardha konfirmojnë për AA vdekjen e një anëtari të tyre dhe dy punëtorëve në qendrën mjekësore.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Megjithatë, regjimi në vazhdimësi i ka thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së deeskalimit.

Zona e deeskalimit aktualishtështë e banuar nga katër milionë civilë, duke përfshirë edhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre nëpër vite në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit përdori dhunë për të shtypur protestat pro-demokratike.

Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.