Një sulm ajror izraelit në vendbanimin jugor libanez, Deir Qanoun Ras al-Ain dëmtoi disa ambulanca, automjete shpëtimi dhe zjarrfikëse që i përkisnin Autoritetit Islamik Shëndetësor (Hayaa) të premten, raportoi agjencia e lajmeve e Libanit, transmeton Anadolu.
Sulmi kishte në shënjestër vendbanimin dhe rezultoi në dëmtime të automjeteve të reagimit ndaj emergjencave, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve NNA.
Incidenti ndodhi menjëherë pasi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, paralajmëroi se ushtria mund të synonte drejtpërdrejt ambulancat në Liban, duke pretenduar se ato po përdoreshin nga Hezbollahu për qëllime ushtarake.
Nuk u raportuan viktima menjëherë.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmin e saj të zgjeruar në Liban që nga e mërkura, duke vrarë të paktën 303 persona dhe duke plagosur 1.150 të tjerë, sipas Mbrojtjes Civile Libaneze.
Ofensiva vazhdoi pavarësisht një armëpushimi dyjavor të shpallur të martën nga SHBA-ja dhe Irani, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje më të gjerë për të ndaluar një konflikt të nisur nga Washingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt që ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Ndërsa Islamabadi dhe Teherani thanë se armëpushimi përfshin edhe Libanin, Washingtoni dhe Tel Avivi e mohuan këtë.




