Supremja jep detaje për përmbylljen e rastit Kleçka

Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë sot detaje lidhur me përmbylljen e rastit Kleçka, ku ishte i përfshirë edhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Në një njoftim, Supremja ka theksuar se dy pretendimet kryesore të prokurorisë për përgjigjet e vonuara të pandehurve për Gjykatën e Apelit pasi që afati kishte kaluar dhe kërkesa për rigjykim të rastit në bazë të dyshimit serioz për saktësinë e vërtetimit faktik u refuzuan.

Ja njoftimi i plote i Supremes:

Më 12 maj 2017, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas nga Gjykata Supreme e Kosovës e refuzoi Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit më 12 gusht 2016 kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në rastin e ashtuquajtur Kleçka.

Gjykata Supreme e vlerësoi kërkesën të pabazuar pasi që nuk ishin bërë shkelje të drejtës materiale as të ligjit të procedurës penale që do të rezultonin në shuarjen e procedurës dhe rigjykimin e rastit.

Dy pretendimet kryesore të prokurorisë për përgjigjet e vonuara të pandehurve për Gjykatën e Apelit pasi që afati kishte kaluar dhe kërkesa për rigjykim të rastit në bazë të dyshimit serioz për saktësinë e vërtetimit faktik u refuzuan.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se pranimi i të ashtuquajturave përgjigje të vonuara nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit. Lidhur me pretendimin e dytë, Gjykata Supreme ka pohuar se pasaktësia hipotetike e vërtetimit faktik në vendimin e kundërshtuar me anë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të rezultojë në shuarjen e një rasti për të cilin është shpallur pafajësia.