Sveçla nga Bërnjaku: Policia po përmbush detyrat e saj duke siguruar ambient të qetë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se gjendet për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak.

Ai ka thënë se ka vizituar stacionin policor të kufirit në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare në Jasenovik.

Sveçla ka shkruar në Facebook se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës po përmbushin detyrat e tyre zyrtare “duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët, si në pikat kufitare ashtu edhe brenda gjithë territorit të Republikës së Kosovës”.

“Policia e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si e tillë, ajo do të vazhdojë të kryejë misionin e saj me gatishmëri të plotë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim”, ka shkruar më tej Sveçla.

Pas vendimit që t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës, serbët në Kosovë janë tubuar në sheshin e Mitrovicës së Veriut.