Sveçla pas arrestimeve të policëve: Vetëm fillimi i luftimit të krimit dhe korrupsionit

“Mund të premtoj se ky është vetëm fillimi”, ka thënë të premten ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për aksionet që institucionet e sigurisë i kanë zhvilluar ditët e fundit në luftimin e korrupsionit.

Të premten janë arrestuar edhe 26 policë e zyrtarë kufitarë të Kosovës nën dyshimin për marrje ryshfeti. Aksioni ishte vazhdimësi e atij që u zhvillua muajin e shkuar, kur u arrestuan gati 50 policë.

Në emisionin “Java sonte me Rronin” në KTV, Sveçla ka thënë se aktivitetet në luftën kundër korrupsionit janë mesazh se “krimi s’mund të fshihet nën petkun e institucionit”.

“Aktivitetet e sotme janë vetëm vazhdimësi e aktiviteteve të shumta që institucionet e MPB-së po i ndërmarrin, me qëllimin e vetëm që të përmbushen zotimet të cilat janë dhënë edhe më herët, që s’do të lejojmë krim e korrupsion në Republikën e Kosovës e posaçërisht në radhët e institucioneve kryesore të vendit tonë, e ndër to padyshim që është edhe Policia e Kosovës. Policia dhe Inspektorati vetëm po bëjnë punën e tyre e ne si Ministri e Qeveri po u ndihmojmë duke u dalë në krah”, ka thënë ai.

Bashkëpunimin me autoritetet e Shqipërisë e ka cilësuar si “hyrje për bashkëpunim edhe më të madh për të ardhmen”.

Sipas tij, me aksionet e fundit të institucioneve të sigurisë “po vërehet dallimi substancial në krahasim me të kaluarën”.

“Mund të premtoj se ky është vetëm fillimi. Në një vend të vogël si Kosova, shoqëri që zbaton ligjin, shumica e vendit kërkon ligj, s’mund të ketë hapësirë për krimin që të veprojë qoftë haptas apo fshehtas e të ketë mbështetje të çfarëdollojshme për krimin. Jemi të vendosur ta luftojmë me çdo kusht dhe ka mobilizim jashtëzakonisht të gjerë. Jemi dëshmitarë që për vite të tëra kemi parë gjakderdhje financiare të tmerrshme. S’është vend i varfër, por i vjedhur. Këtë hajni kemi vendosur ta ndalim. Vendimi është i shoqërisë. Shumicës absolute të saj”, ka thënë tutje ai.