Tahiri: Tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët pagat më të dinjitetshme në rajon

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se rritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës do t’ua mundësojë atyre të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon, njofton Klan Kosova.

Siç shkruan Tahiri në Facebook, tash me rritjen e pagave pritet rritje edhe e punës dhe efikasitetit.

“Rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës, duhet të shihet si investim drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës”, shkruan Tahiri.

“Krahas bazës ligjore dhe pavarësisë së plotë për të mbrojtur ligjshmërinë mbi të cilën zhvillohet një shtet bashkëkohorë, tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon”.

“Natyrisht kjo rrit edhe pritjet tona për shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qasjen në drejtësi kuptimplote dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.