Talebanët ftojnë Japoninë të “marrë pjesë në rindërtimin e Afganistanit”

Suhail Shaheen

Talebanët deklaruan se duan të kenë “marrëdhënie të mira” midis Kabulit dhe Tokios dhe ftuan Japoninë të “marrë pjesë në rindërtimin e Afganistanit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë me agjencinë Kyodo me qendër në Tokio, zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen tha se, “Ne duam që Japonia të marrë pjesë në rindërtimin e Afganistanit dhe ne synojmë të krijojmë një marrëdhënie të mirë me ta”.

Ai theksoi se talebanët duan “bashkëpunim në fusha të ndryshme” me Japoninë në Afganistan. “Shpresoj që së shpejti Japonia të rihapë ambasadën e saj në Afganistan”, tha Shaheen.

“Janë falur të gjithë ata që punuan për regjimin e Kabulit të mbështetur nga Perëndimi, të udhëhequr nga ish-presidenti Ashraf Ghani që u largua nga vendi. Ne afganët duhet të bashkohemi për rindërtimin dhe rehabilitimin e vendit tonë. Askush nuk po merret në shënjestër si mbështetës i SHBA-së, pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të saj”, tha Shaheen.

Duke deklaruar se ata janë të përkushtuar ndaj lirisë së shtypit, Shaheen tha se, “mediat e huaja mund të raportojnë nga Kabuli ose kudo në Afganistan”.

Japonia evakuoi stafin në ambasadën e saj në Kabul më 18 gusht dhe njoftoi se aktivitetet e saj do të vazhdojnë në zyrën e përkohshme që do të krijohet në Stamboll.

Agjencia Kyodo njoftoi se Japonia ka siguruar 6,8 miliardë dollarë për rindërtimin e Afganistanit që nga viti 2001.

Nga ana tjetër, talebanët dje deklaruan se vendi i tyre është i pasur me burime minerale të rralla dhe deklaruan se Afganistani mund të punojë me Korenë e Jugut, prodhuesin kryesor elektronik në botë.

Anëtari i Komisionit Kulturor të Talebanëve, Abdulkahir Balki tha se Koreja e Jugut shpreson të njohë talebanët si qeveri “legjitime” të Afganistanit dhe të forcojë bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Talebanët më parë kishin ftuar investitorët kinezë në vend. /aa