Talebanët marrin nën kontroll pikën kufitare mes Afganistanit dhe Taxhikistanit

Talebanët kanë marrë nën kontroll pikën kufitare Sherkhan mes Taxhikistanit dhe rajonit Kunduz në veri të Afganistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëvendës kryetari i Këshillit të qytetit Kunduz, Emruddin Veli në një deklaratë për gazetarët tha se militantët mbrëmë në orët e natës sulmuan pikën kufitare Sherkhan që ndodhet mes Taxhikistanit dhe Afganistanit.

Si pasojë e sulmit, pika kufitare Sherkhan kaloi nën kontrollin e talebanëve, tha Veli i cili shtoi se forcat e sigurisë e braktisën plotësisht këtë rajon.

Ndërsa në një deklaratë nga talebanët thuhet se kanë siguruar kontrollin mbi pikën kufitare Sherkhan dhe mbi ndërtesat publike dhe se forcat e sigurisë u janë dorëzuar atyre.

Pika kufitare Sherkhan është një prej pikave më të rëndësishme mes Afganistanit dhe Taxhikistanit dhe çdo ditë përmes këtij vendkalimi kufitar kalojnë dhjetëra mjete që transportojnë mallra tregtare.

Mes dy vendeve ndodhen edhe dy pika të tjera kufitare, ku njëra prej tyre ndodhet pranë lumit Amu në rajonin Takhar dhe tjetra në rajonin Badakhshan në verilindje të vendit.

Më tej theksohet se dje në orët e para të mëngjesit militantët talebanë morën nën kontroll zonat Devlet Abad, Sholgere dhe Kishindeh të rajonit Belh në veri të vendit.

Dy ditë më parë talebanët morën nën kontroll dy zona në rajonet Belh dhe Samangan në veri të vendit.

Në njërën anë në vend vazhdojnë punimet për sigurimin e stabilitetit ndërsa në anën tjetër vazhdojnë sulmet.

Ka shkuar mbi 35 numri i rajoneve në të gjithë vendin që kanë kaluar nën kontrollin e talebanëve në dy muajt e fundit.

Sipas të dhënave të OKB-së, përveç qendrave të qyteteve talebanët kanë marrë nën kontroll 50 deri në 70 për qind të territoreve të vendit.

Gjithashtu sipas të dhënave që ka përpiluar gazetari i AA-së, talebanët përfshirë edhe qendrat, kanë marrë nën kontroll më shumë se 130 nga 407 rajone në mbarë vendin. Ndërsa nën kontrollin e forcave të sigurisë afgane ndodhen ende disa rajone që arrijnë deri në 60.

Po ashtu nën kontrollin e qeverisë ndodhen 34 qendra provinciale të vendit.

Në pjesën më të madhe të territoreve në 200 nga gjithsej 407 rajone të Afganistanit vazhdojnë përleshjet mes forcave të sigurisë dhe talebanëve. /aa