Tango me Hekatonin

Ali Pajaziti

“La famiglia è la patria del cuore.”

Ali PAJAZITI, Shkup

Hyrje: Thënia e mësipërme është e shkrimtarit të mirënjohur italian Guiseppe Mazzini (1805-1872), që në mënyrë lakonike familjen e ka përkufizuar si “atdheu i zemrës”, me fjalë të tjera si lokacioni dhe gurra e dashnisë, që është tharmi i jetës. Familja është mjedisi ku ne vijmë në këtë botë dhe gatuhemi përgjatë gjithë jetës. Është vatër ku ne gjejmë ngrohtësinë, afërsinë, intimitetin, rehatinë, paqen, dashurinë e pafundme, ku ne jemi vetja, ku s’ka artificialitet, ku gjithçka është natyrë, origjinale, autentike. Së paku, kështu ka qenë dhe duhet të jetë. Por, ama, realiteti i kohës na sjell para një fotografie tjetër të këtij institucioni, duke na e bërë mirazh këtë të vjetrën ideale. Sot kemi arritur në një kontekst ku familja është lëkundur shumë nga dallgët e furtunës së modernitetit vlerësfidues dhe dehumanizues, që mes tjerash ka gjeneruar edhe familjen anarkike që e kemi trajtuar në Fjalorin e sociologjisë (2018), rigjetur në një artikull të Sontago Zhang-ut të titulluar “Shoplifters: The Tale of an Anarchic Family”, që analizon një film të regjisorit japonez, Hirokazu Koreeda, i cili në vitin 2018 në Festivalin e Kanës e fitoi Çmimin “GoldenPalm”.

Terminologji-tipologji: Shprehja familje rrjedh nga fjalët latine famulus ose familia, që do të thotë rob shtëpiak ose bashkësi robërish. Familja është një grup shoqëror, pjesëtarët e të cilit janë të lidhur nga origjina, martesa, adoptimi, që jetojnë së bashku, bashkëpunojnë ekonomikisht dhe përkujdesen për njëri-tjetrin. Është institucion shoqëror, që përbën strukturën themelore, funksionale dhe strukturale të çdo shoqërie. Cooley e ka familjen quajtur si shembullin e parë dhe ideal të grupeve primare, të cilat janë “fidanishte të karakterit njerëzor”, krijuese të ndjenjave më të holla që i njeh qenia njerëzore. Me shumë urtësi, dikush e ka cilësuar atë si “institucioni më i vjetër shoqëror që asnjëherë nuk vjetrohet”, si “institucioni më i sigurt për njeriun”. Ajo është streha e vetme ku njerëzit gjejnë sigurinë, prehjen dhe dashurinë. Njerëzit në familje e kanë mundësinë t’i ruajnë dallimet dhe liritë e veta. Institucioni i familjes është njësi shpirtërore ku gatuhet shpirti i pjesëtarëve të ardhshëm të shoqërisë, ku jepen dhe ndërtohen vlerat, është njësi ekonomike që ia plotëson njeriut nevojat materiale. Nga ana tjetër, meqë është fryt i ndërveprimit të biologjisë së njeriut me rrethin, është edhe institucion biosocial, por edhe institucion ideologjik, ngaqë është rezultat i pikëpamjeve si duhet të sillen me njëri-tjetrin femra me mashkullin. Edhe Balzaku dhe Comte mendojnë se familja është njësia kryesore e shoqërisë e jo individi. Së këndejmi kërkohet që individi t’ia nënshtrojë dëshirat e veta institucionit të familjes. Në gjuhën japoneze fjala familje dhe qilim janë të njëjta (kamai), që është metaforë e ndërlidhjes së ngushtë mes nyjeve të qilimit dhe familjeve që e përbëjnë shoqërinë. (Bullaç, 2005) Në mesjetë kanë ekzistuar familjet e zgjeruara, si edhe sot në vendet islame dhe në një pjesë të Lindjes. Në shekullin XVI dhe XVII, familja ka qenë e zgjeruar, me prindërit, gjyshin e gjyshen dhe fëmijët. Me shfaqjen e Revolucionit, formohet e ashtuquajtura familje atomike, kurse sot, në qytetin virtual, formohen familje njëprindërshe, me një fjalë familja shkatërrohet. Sociologët kanë bërë tipologji të ndryshme të familjeve, duke filluar nga ajo e zgjeruar, konjugale, atomike, patriarkale, monogame, egalitare, e ndarë, njëgjakëshe, ndërmarrëse, burokratike e kështu me radhë. (Virilio, 2003: 65; Zanden, 1999: 667; Kullashi: 2003: 218)

Less Family (Më pak familje): Sipas Angie Blackwell-it (2017), e specializuar për dinamikat e familjes, për prindërimin dhe ndërmjetësimin efektiv, sot familja e zgjeruar është në listën e specieve në rrezik. Do të kishim shtuar se në rrezik është madje edhe familja në përgjithësi. Ndër termat e përdorur është edhe shprehja “skenari për më pak familje” (“less family” scenario). Në veçanti në shoqëritë perëndimore janë bërë trend familjet njëanëtarëshe, të cilat nënkuptojnë një rregullim sipas të cilit individi siguron vetë ushqimin dhe gjërat e tjera të nevojshme për jetesë pa u bashkuar me ndonjë person tjetër, pa u bërë pjesë e një bashkësie dy e më tepër anëtarëshe. Familjet e shekullit XXI ndryshojnë jashtëzakonisht në formë dhe vëllim: divorci, rimartesa, prindërimi pa bashkëshort/e i kanë bërë demode madje edhe familjet bërthamë. Para një gjysmë shekulli, fëmijët janë rritur me dy prindërit biologjikë dhe me mbështetjen e anëtarëve të familjes së zgjeruar, kurse sot një pjesë e mirë e fëmijëve rriten pa njërin prind. Sot trende të përhapura gjithandej janë kohabitimi ose bashkëjetesa, kurse të dukshme janë edhe ekstremet, si partnerët e seksit të njëjtë e të ngjashme.

RMV 2070: “rënie e lirë” demografike: Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, ka pasur 538.348 familje, prej të cilave 43.39% të çifteve të martuara me fëmijë, derisa familjet e çifteve të martuara pa fëmijë kanë marrë pjesë me 31.12% në numrin e përgjithshëm të familjeve. Më shumë nëna vetushqyese me fëmijë ka pasur në komunën e Zhelinës (9.64%), ndërsa përqindjen më të madhe të baballarëve vetushqyes me fëmijë në numrin e përgjithshëm të familjeve e ka pasur komuna Shuto Orizare (2.7%). Në vitin 2022 RMV ka pasur 1.831.121 banorë, kurse sipas hipotezës së fertilitetit të ulët parashihet që në vitin 2070 ky vend të ketë 1.120.272 frymë humane. Këto shifra flasin për një rënie ose tkurrje marramendëse demografike të familjes që e pret këtë vend. (STAT, 2023:17-19) Në periudhën e dytë të projeksionit (2065-2070) do të ketë nga -70.6 mijë, respektivisht -14 mijë lindje për vit. Niveli i tillë i lartë i rritjes negative është kryesisht rezultat i nivelit të ulët të lindjeve (3.9 mijë në vit) me nivel të lartë të të vdekurve (18 mijë). Sipas këtij projeksioni, dallimet e tilla nuk janë rrjedhim i shkallës së ulët të fertilitetit dhe të lartë të mortalitetit, por i uljes së numrit të grave në periudhën e fertilitetit dhe rritjes intensive të numrit të personave në moshë (pjesa e individëve 65+ do të jetë 2.5 herë më e lartë se e atyre në moshën 20-39 vjeç). Pra, në kontekstin e RMV-së trend është tkurrja e vatrës familjare. Për këtë flasin shifrat e mësipërme: rreth një e treta e çifteve të martuara nuk kanë fëmijë. Pse? Ngase kanë plane të tyre jetike, duan karrierë, duan ta shijojnë jetën, nuk duan ngarkesa plus në jetë, i shmangen përgjegjësive, duan të ruajnë fizikusin e shumë arsye ishte.

Familja shqiptare post-tradicionale: Përgjatë historisë së shek. XX familja shqiptare ka përjetuar një ndryshim radikal. Nga një familje e zgjeruar dhe patriarkale, në dhjetëvjeçarët e fundit ka kaluar në atë atomike dhe të decentralizuar. Në Shqipëri, në vitet 1950-të, mesatarisht, një familje ka numëruar 7 fëmijë, në vitet 1970-të ka pasur 5, në vitet 1980-të është shënuar rënie në 4 pasardhës dhe në vitet 1990 në 3 fëmijë. Gjatë periudhës së tranzicionit shifrat flasin për ulje në numrin e martesave dhe përqindje të lartë të divorceve etj. (Duri, 2016: 487) Sipas gjetjeve të INSTAT-it, në Shqipëri në vitin 2016 janë shënuar 31 divorce në 100 martesa). Prirje të ngjashme ka edhe për familjen kosovare, që dikur njihej me familjet-fis, si ajo e Nivokazit të Gjakovës, që më 1976 numëronte 117 anëtarë. Statistikat flasin se numri mesatar i anëtarëve të familjes kosovare është 5.7 anëtarë, shifër kjo që flet se familja kosovare ende është e madhe, por për dallim nga e kaluara, mesatarja e numrit të anëtarëve është në rënie. Në vitin 1950-të norma e fertilitetit të përgjithshëm në Kosovë ka qenë 7.85, kurse në vitin 2010-të ka rënë në 2.1. Familja kosovare është detradicionalizuar dhe ka pësuar shndërrime të thella, sikurse janë shënuar ndryshime në botëkuptim, në kriteret e vlerësimit të njeriut, të qëllimit të jetës, në konceptine martesës, lumturisë, mirëqenies etj. (Sokoli në Karadži, 2021:248) Sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që njihen si pjesa më konservatore e shqiptarisë, te ata martesat ende janë trend (Топузовска Латковиќ, M. et. al., 2013: 19), kurse shtëpitë e pleqve për shqiptarë nuk ekzistojnë. Familja shqiptare në RMV mesatarisht numëron 5 anëtarë: dy prindër dhe fëmijët.

Kriza e thellë: Marrë në përgjithësi, në periudhën e tranzicionit dhe më pas, familja shqiptare ka pësuar goditje të rënda: eksodi, migrimi, zhvendosjet në vende të ndryshme të Europës dhe përtej për të siguruar jetë më të mirë (Kasapi, 2018:54). Këto janë ndryshime strukturale. Sipas nesh, më me peshë janë ato në aspekt të botëvështrimit, vlerave, filozofisë dhe mënyrës së jetesës. Të dhënat nga analiza e përmbajtjes së mediave klasike dhe atyre sociale flasin për pikturë tepër negative të familjes shqiptare të shek. XXI. Violenca është bërë tipari kryesor i lajmeve në TV, portale, rrjete sociale. Keqtrajtimi i prindërve, i fëmijëve, pleqve, vrasjet, përdhunimet, aktet suicidale kalojnë si në shirit të filmit. Talljet me mësimdhënësit nëpër shkolla, bullizmi, alkoolizmi, seksi i hershëm, narkomania rinore, lojërat e fatit, kohëkonsumimi i pakufi në tik-tok janë bërë stil juvenil gjithandej. Vrasja e fundit banale mes kushërinjve në Tetovë, rasti “Liridona”, ekzekutimi i tmerrshëm i podujevasit 18-vjeçar nga mocanikët e vet, shkodrani 70-vjeçar i vrarë nga fqinji, përleshja me thika e adoleshentëve në Gramsh, ekzekutimet për shkak të divorcit janë vetëm sekuenca nga realiteti i hidhur shqiptar. Kjo tregon se jemi “rrallu prej kreje”, se kemi arritur në stadin e familjes anarkike që karakterizohet nga çorganizimi, nga mungesa e rregullave, nga të mundësuarit anëtarëve, madje edhe fëmijëve, që të bëjnë çka duan, nga permisiviteti.

Përfundim: Prej tipit tradicional të familjes, që ishte një ambient i ngrohtë njerëzor, social, etik, moral dhe edukativ, familja ka marrë pamje të një anarkie sociale, është shndërruar në arenë konfliktesh, me tendenca individualiste e pavarësi ekonomike të pjesëtarëve të saj, si te bashkëshortët, ashtu edhe te pjesëtarët e tjerë të familjes. (Fetahu, 2012) Mustafa Merter (1947-), psikiatri turko-zviceran, para dy muajsh e publikoi librin Tangoja e fundit me Hekatonin, ku flet për luftën ose projektin global për prishjen e familjes dhe ribërjen e njerëzimit. Hekatoni (Hecatoncheires) në mitologjinë greke është një krijesë titan me pesëdhjetë kokë dhe njëqind duar. Merteri në këtë vepër analizon thellësisht terma me brendësi gjithnjë e më të zbrazur, si materializmi i ri, identiteti gjinor, gjuha – fjalimi i urrejtjes, objektiviteti shkencor dhe të drejtat e njeriut. Ai thotë se web 2.0 dhe media e re, Netflix, Disney+ dhe TikTok, po e shkatërrojnë sistemin e vjetër të edukimit, se qëllimshëm po rrënohet autoriteti i babait, po afirmohen devijimet seksuale, se nën emrin e gjinisë shoqërore tentohet “të zbehet” dallimi burrë-grua (Butler: njerëzit që mijëra vite jetojnë me identitetin burrë-grua janë të sëmurë), me një fjalë i është shpallur luftë familjes. Me sa duket, civilizimi dhe njeriu i mileniumit të ri kanë nisur një tango me Hekatonin, nga i cili mund ta shpëtojë vetëm arsyeja që e merr parasysh traditën dhe shpirtëroren. /revistashenja