Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Të dërguarit amerikanë Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë për bisedime me...

Të dërguarit amerikanë Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë për bisedime me Putinin

Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbërritën sot në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, raportuan mediat ruse, transmeton Anadolu.

I dërguari i presidentit rus, Kirill Dmitriev, priti dy përfaqësuesit amerikanë në Aeroportin e Vnukovos, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Edhe agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS konfirmoi se autokolona me Dmitriev, Witkoff dhe Kushner u largua nga aeroporti pas uljes së tyre në kryeqytetin rus.

Kushner tha të mërkurën se ai dhe Witkoff do të udhëtonin drejt Moskës pas negociatave trepalëshe të paqes, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, me delegacionet ruse dhe ukrainase.

“Një nga zhvillimet pozitive është se ramë dakord të realizojmë lirimin më të madh humanitar të të burgosurve dhe nesër do t’i përmbyllim shifrat”, tha Kushner.

Një nga objektivat kryesore të misionit në Rusi është zgjerimi i kornizës së negociatave, vuri në dukje Kushner, duke shpjeguar se Washingtoni synon të sigurojë pjesëmarrjen e Evropës për të krijuar një format shumëpalësh dhe afatgjatë të paqes.

Më vonë, të dërguarit do të udhëtojnë drejt Dublinit për të informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe për të shqyrtuar më tej idetë e diskutuara gjatë negociatave, tha Kushner.