Të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen në mënyrë drastike, s’ka protesta për 1 maj

BSPK në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punës, 1 Maj, iu ka adresuar për zgjidhje institucioneve në vend pesë kërkesa për të drejtat e punëtorëve, marrëveshjen kolektive, pagën minimale, sigurimin shëndetësor, skema pensionale dhe ligji për pagat.

Në konferencën e BSPK-së, kryetari i saj, Avni Ajdini tha se të drejtat e punëtorëve po vazhdojnë të shkelen në mënyrë drastike, por për shkak të masave kufizuese për mbrojtje nga Covid-19 e kanë të pa mundur të organizojnë protestë nesër në Prishtinë

“Për fat të keq që sot pandemia na ka kapluar me një virus të pa dukshëm, kështu në Republikën e Kosovës nuk po mundemi të organizojmë protesta për të drejtat tona të cilat i kemi i kemi thelbësore dhe fundamentale që t’i realizojmë, sepse janë duke u shkelur sistematikisht. Kemi mjaft shkelje drastike që, edhe pse qeveritë e kaluara në kanë premtuar, mirëpo realizimi i tyre ka qenë i pjesshëm… Këshilli ekonomik Social ka punuar mjaft për kontratën kolektive, të cilit i ka skaduar mandati nga 2017 dhe deri më sot kjo marrëveshje është e gatshme për t’u realizuar, për t’u nënshkruar, mirëpo nuk kemi me kënd me nënshkruar. Kështu që kërkoi nga qeveria e sotme që t;i marrë këto kërkesa seriozisht dhe një ditë të ulemi dhe t’i nënshkruajmë. Sepse pa një kontratë kolektive janë të shkelura dhe të cenuara të drejtat e punëtorëve. Megjithatë ne kemi pesë kërkesa përveç marrëveshjes kolektive”, theksoi Ajdini.

Ai ka kërkuar nga Qeveria aktuale që t’i marrë këto pesë kërkesa seriozisht dhe një ditë të nënshkruhet edhe kontrata kolektive, sepse janë të cenuara të drejtat e punëtorëve.

Po ashtu, Ajdini në këtë konferencë shprehi shqetësimin e tij për punëtorët që nuk po arrin të marrin pensionin e plotë për shkak të kufizimit të përvojës së punës me 15 vjet. Për çka ka kërkuar zgjidhje nga Qeveria aktuale, mbase sipas tij, ka qenë premtim i vazhdueshëm i gjitha partive.

“Po ashtu kemi problemin sfidues tek skemat pensinale. Punëtorët tanë nuk po mund të arrijnë pensionin e plotë për arsye të mungesës së viteve, sipas ligjit 15 vjet që duhet t’i kenë. Për arsye objektive që janë larguar nga puna nga okupatori ata s’po munden t’ia arrin 15 vjetshin. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që skema pensionale të paguhet ose sipas kontributeve ose t’i njihet përvoja e punës prej vitit 1990 deri në vitin 2000, por pa kompensim. Andaj, kemi kërkuar që të njihet përvoja e punës që të mund ta realizojmë këtë të drejtë elementare. Edhe për këtë s’kemi pasur asnjë lëvizje, kurse politikanët tonë e kanë ‘gojën plotë punëtorë’ para zgjedhjeve dhe gjatë fushatave. Premtojnë shumë, kurse kur të vjen koha që të realizojnë diçka rezultati është deri më tani me zero”, deklaron ai.

Sipas Ajdinit, përkundër që Këshilli Ekonomiko Sociale kishte vendosur që paga minimale të jetë 250 euro, edhe pse ka pasur premtime nga qeveritë e kaluara që kjo mund të realizohet, për fat keq kjo ka mbetur vetëm në fjalë dhe në letër.

Ajdini shton se kjo marrëveshje ka qenë vetëm deri në vitin 2019, për këtë ai tha se sivjet kërkojnë që paga minimale të jetë 300 euro.

“Kjo qeveri që është sot, ka premtuar në fushatë parazgjedhore që paga minimale do të realizohet 250 euro. Mirëpo deri tash nuk kemi pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim. Sepse unë si BSPK kam bërë një kërkesë që të takohemi me kryeministrin para një muaji. Por ende nuk kemi ndonjë reflektim. Presim një hap përpara për çështjen sociale, për programin të cilin e kanë dhe ato programe të mos qëndrojnë në letër, por të bëhen edhe vepër. Ne jemi dëshmitarë që punëtorët tonë nuk kanë sigurim shëndetësor, i vetmi vend në Ballkani perëndimor, Kosova nuk ka sigurim shëndetësor”, tha ai.

Për arsye të pandemisë Covid-19, papunësia sipas Ajdinit ka shënuar rritje nga 33 në mbi 40 përqind.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jashari ka shprehur shqetësimet e tij se edhe në këtë 1 Maj punëtorët i gjen me vështirësi të mëdha dhe mbeten të sfiduar për kushtet e punës.

Ai ngrit edhe çështjen e mungesës së mbrojtjes shëndetësore në këtë kohë pandemie.