Sot në vendet e Ballkanit festohet Krishtlindja nga ana e besimtarëve ortodoksë, raporton Anadolu.
Në katedralen e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) “Shën Klimenti i Ohrit” në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt manifestimi qendror, ndërsa në të gjitha kishat e KOM u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve.
Në manifestimin qendror në Shkup, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, Stefani, e udhëhoqi liturgjinë, ndërsa morën pjesë shumë qytetarë.
Pas liturgjisë së Krishtlindjeve, në Katedrale u lexua mesazhi i Kryepeshkopit të KOM, Stefani.
Në manifestim ndër të tjera morën pjesë edhe Presidentja e vendit Gordana Siljanovska-Davkova dhe Kryeministri Hristijan Mickoski.
Krishtlindja nga besimtarët ortodoksë u festua edhe në vendet tjera të rajonit.
Në Katedralen e Lindjes së Hyjlindëses së Shenjtë në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, sot u mbajt liturgji me rastin e shënimit të Krishtlindjes, ku morën pjesë shumë qytetarë.
Ndërsa në Tempullin e Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë të Malit të Zi u mbajt liturgjia solemne e Krishtlindjes, në të cilën morën pjesë një numër i madh besimtarësh.
Ndërkaq, në Tempullin e Shën Savës në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, mëngjesin e sotëm u mbajt liturgjia solemne e Krishtlindjes, e cila u udhëhoq nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjithashtu me mesazhe urimi edhe liderët e rajonit kanë uruar qytetarët me rastin e Krishtlindjeve.
Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën shfrytëzojnë kalendarin Julian, të themeluar nën sundimin e Julius Caesar në vitin 45 p.e.s. dhe nuk e kanë pranuar kalendarin Gregorian i cili u themelua në vitin 1582 nga papa romak Gregori.
Dallimi në mes të dy kalendarëve është 13 ditë, prandaj besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjet më 7 janar, dhe jo më 25 dhjetor.


