Të lodhur nga varfëria, sytë i kanë kah bamirësit (Video)

Varfëria në Kosovë sa vjen e shtohet. Aksioni humanitar i realizuar nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, shpalos një pjesë të gjendjes së rëndë të shumë familjeve kosovare.

Ato ballafaqohem me skamje çdo ditë. E përveç kësaj shumë prej tyre vuajnë edhe nga sëmundje të ndryshme si pasoi e jetës së rëndë ekonomike.

Në këtë aksion u ndihmuan me gjëra ushqimore dhe higjienike 15 familje nga komuna e Pejës, Istogut dhe Malishevës.

Fillimisht djelmoshat e kësaj shoqate u ndaluan në familjen e Prene Berishës nga fshati Millovanc e Pejës, për të treguar se vlerat humane të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, tejkalojnë dallimet fetare, racore, por edhe kombëtare.

Kjo nënë që luan edhe rolin e kryefamiljarës ngase burri i saj nuk jeton më në këtë botë, rrëfen se përveç skamjes së madhe, ballafaqohet edhe me djalin e saj të madh i cili vuan nga një çrregullim psikik.

Më pas aksioni vazhdoi edhe në disa familje tjera të komunitetit romë, për të vazhduar në komunën e Malishevës dhe Istogut.

Në fytyrat e secilit prej tyre mund të vërehet vuajtja e vazhdueshme.

Drejtori i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tregon se ky aksion i realizuar në tri komuna u mundësua nga një bashkatdhetar i cili jeton në Gjermani.

Ai falenderoi të gjithë ata që po mundësojnë përmes tyre të rikthejnë buzëqeshjen sado të shkurtë tek këto familje që vazhdojnë të “luftojnë çdo ditë me vdekjen”.

Për t’u bindur se si jetojnë këto familje mund ta shikoni videon në vazhdim: