Të miturit palestinezë vuajnë nga “arrestimi dhe abuzimi” izraelit

KUDS (AA) – Amjadi, një djalë palestinez 15 vjeçar, nuk mund ta harrojë momentin kur u arrestua dy muaj më parë nga ushtarët izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

“E kujtoj incidentin sikur të ishte dje”, thotë Amjadi për AA, familja e të cilit preferonte të mos jepte mbiemrin e tij.

Djali palestinez u arrestua gjatë pjesëmarrjes në një tubim në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor. “Më mbajtën për më shumë se dy orë në një automjet ushtarak dhe me sy të mbyllur, gjatë së cilës ushtarët më fyenin”, kujton ai.

Me një shikim të tmerruar në fytyrën e tij, Amjadi tha se ishte dërguar në një bazë ushtarake pranë fshatit ku thotë se ai i ishte nënshtruar abuzimit fizik.

“Tre ushtarë më zhveshën lakuriq dhe më kontrolluan për më shumë se 30 minuta. Më mbajtën në një dhomë për më shumë se tre orë pa ujë dhe pa ushqim”, thotë Amjadi.

Përderisa babai i tij e përqafoi, Amjadi vazhdoi të tregonte rrëfimin e tij, duke kujtuar se si ishte dërguar në një dhomë tjetër për marrje në pyetje.

“Oficeri izraelit më bërtiste gjatë gjithë kohës. Pasi refuzova t’i përgjigjem njërës prej pyetjeve të tij, ai më goditi tre herë në stomak”, tha ai.

“Nuk munda të marr frymë dhe kisha të vjellura nga dhimbja”, tha fëmija i zemëruar, i cili nuk ishte në gjendje për të vazhduar të tregojë atë çfarë kishte përjetuar.

Në atë moment, babai i Amjadit i mllefosur tha se djali i tij ishte liruar nga burgimi 48 orë më vonë.

Abuzimi 

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se Izraeli në mënyrë të zakonshme arreston fëmijët palestinezë.

“Forcat izraelite arresojnë fëmijë pavarësisht nga mosha apo gjinia e tyre”, tha Qadura Fares për AA, kreu i Shoqërisë së të Burgosurve Palestinezë, duke theksuar se sipas ligjit ndërkombëtar, të gjithë nën moshën 18 vjeç konsiderohen fëmijë.

Fares theksoi se disa raste të arrestimeve të fëmijëve nën moshën 7 vjeç nga forcat izraelite ishin dokumentuar gjatë dy dekadave të fundit.

“Kjo tregon një shkelje të konventave ndërkombëtare dhe një mospërfillje të qartë ndaj Kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut. Bota duhet të marrë një qëndrim të vendosur kundër krimeve izraelite ndaj fëmijëve tanë, të cilët po abuzohen çdo ditë nga pushtimi izraelit”, tha ai.

Arrestimi i fëmijëve palestinezë dominoi këtë javë pasi ushtarët izraelit arrestuan një djalë adoleshent në Bregun Perëndimor gjatë një proteste kundër vendimit të SHBA-ve për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në qytetin e shenjtë.

16 vjeçari Faws al-Xhuneidi u arrestua javën e kaluar gjatë përleshjeve në Bregun Perëndimor në qytetin Hebron dhe u tërhoq zvarrë me sy të mbyllur nga ushtarët izraelitë.

Fotografia e fëmijës me sy të lidhur është bërë simbol i protestave të vazhdueshme palestineze kundër politikës së SHBA-ve për Kudsin.

Sipas Shoqatës Palestineze të të Burgosurve, rreth 100 fëmijë palestinezë janë arrestar nga forcat izarelite që kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi vendimin javën e kaluar.

“Sistematik” 

Grupet e të drejtave të palestinezëve thonë se pjesa më e madhe e fëmijëve të arrestuar i nënshtrohen abuzimit psikologjik ose fizik gjatë kohës së arrestimit.

“Rreth 90 për qind e fëmijëve të arrestuar i nënshtrohen abuzimit verbal dhe poshtërimit nga oficerët e ushtrisë izraelite”, tha Ayed Abu Qtaish për Aa, nga Grupi për Mbrojtjen e të Drejtave të Palestinezëve.

Ai shtoi se 82 për qind e fëmijëve të arrestuar janë zhveshur lakuriq për kontroll, ndërsa 30 për qind i janë nënshtruar abuzimit fizik përderisa ishin në paraburgim.

Sipas Abu Qtaish-it, mbi 75 për qind të fëmijëve të arrestuar u është mohuar qasja në këshilla ligjore para se të merren në pyetje.

“Këto nuk janë incidente të izoluara, por praktikë standarde nga ushtria izraelite. Okupimi izraelit ushtron këtë politikë sistematike me qëllim frikësimin e fëmijëve palestinezë”, tha ai.

Kreu i Komitetit të Kudsit për Familjet e të Burgosurve, Amjad Abu Assab, tha se forcat izraelite kanë arrestuar 19 fëmijë në bastisjet gjatë natës që nga java e kaluar.

“Secili nga këta fëmijë të arrestuar pësoi plagë plumbash, të prekur nga gazi lotsjellës ose janë rrahur nga forcat izraelite gjatë paraburgimit”, tha Assab.

Sipas Shoqatës Palestineze të të Burgosurve, rreth 300 fëmijë vazhdojnë të mbahen në objektet e paraburgimit në Izrael.