Të ndjesh me zemër dhe jo të memorizosh

Kur vlera e një sendi zbehet në shpirtin e njeriut, ai nuk i kushton atij sendi vëmendjen e duhur. Duke medituar rreth këtij fenomeni në mendje më vjen një pyetje: Çfarë e bën njeriun që të mos i kushtojë rëndësinë e duhur gjërave të çmuara që ai i posedon? Mendoj se arsyet e këtij fenomeni janë sa më poshtë:

Së pari: Njeriu – realisht – nuk ja di vlerën e asaj që posedon. Së dyti: Ia di vlerën, por nuk ka ndonjë ndjesi në zemër rreth tij dhe Së treti: ia di dhe e ndjen vlerën e tij, por prezenca e faktorëve të jashtëm bën që ai të mos i kushtojë rëndësi.

Nuk ka dyshim se një gjësend i çmuar janë edhe 10 – të ditët e Dhul Hixhes, por realisht a i kushtojmë neve rëndësinë e duhur këtij 10 – të ditëshi? Unë jam i mendimit se arseyja se përse ne nuk i kushtojmë rëndësinë e duhur është se në teori ne – thjesht – ia dimë vlerën, dhe vetëm kaq. Dijetari i shquar Muhamed Hasen Dedu thotë: [Ne kemi informacion rreth Hallallit dhe Haramit, mirëpo ky informacion nuk na shtyn dhe as na motivon që ne mos ta kryejmë një vepër të ndaluar. Ajo që e motivon njeriun për të kryer një vepër të mirë apo për mos të kryer një vepër të keqe është zemra. Nëse informacionet janë thjesht të regjistruara në memorien e njeriut dhe nuk zënë vend në zemër, rrjedhimisht njeriu nuk kryen vepra të mira, apo nuk frenohet nga veprimi i mëkateve apo veprave të shëmtuara. Mirëpo nëse informacionet i kalojnë kufinjtë e memorizimit duke depërtuar në thellësi të zemrës, atëherë padyshim përmbushet ajo që kërkohet.]

Ne tashmë sapo kemi hyrë në 10 – të ditëshin e muajit të Dhul Hixhes. Nuk ka dyshim se informacionet tona rreth mirësisë dhe vlerës së tyre janë të memorizuara në trurin tonë, por ndjesitë tona janë të plogështa e të amullta. Ndoshta ndonjëri prej nesh, ngaqë ka dëgjuar apo ka lexuar rreth vlerës së 10 -të ditëshit të muajit të Dhul Hixhes, teksa dëgjon imam – hatibin të flasë rreth tyre – përsërit me vete ato ç’ka thotë ai në hytbe, mirëpo pas kësaj as imam – hatibi dhe as dëgjuesi nuk ndërmarrin as edhe një hap për vënë në zbatim atë që duhet të bëjnë gjatë këtyre ditëve të bekuara. Atëherë ku qëndron mirësia tek njohja e informacionit? A mos vallë këto raste – të cilat duhet të shfrytëzohen për të bërë sa më shumë vepra të mira – kanë kaluar në stadin se kush është më orator për t’i interpretuar ato? Gjithçka që shpresoj është që mos të jemi në këtë stad e nivel. Gjithçka shpresoj është që në lidhje me këtë çështje të jemi si kalizatori kimik që është lënda e cila përdoret për ta përshpejtuar rrjedhën e një reaksioni kimik, por që vetë nuk pëson asnjë ndryshim.

Allahu na e mundësoftë që këtë 10 – të ditësh ta shfrytëzojmë duke bërë sa më shuëm vepra të mira.