Komuniteti musliman në Kolumbia përbën më pak se 0.2 për qind të popullsisë në një vend ku rreth 63 për qind identifikohen si katolikë. Megjithatë, rreth 85 mijë deri në 100 mijë muslimanë në Kolumbi po e shënojnë Ramazanin me përkushtim dhe ndjenjë bashkësie.
Në qytete si Bogota dhe Medellin, besimtarët janë përgatitur për muajin e shenjtë me dekorime dhe falje të përbashkëta. Në një xhami modeste në lagjen Belen të Medellinit, besimtarë nga kombësi të ndryshme u rreshtuan krah për krah për namazin e parë të teravive.
Imami Mu’tasem Abdo, i cili erdhi nga Egjipti katër vjet më parë, tha se shumica e frekuentuesve janë kolumbianë, por ka edhe besimtarë nga Trinidad dhe Tobago, Tunizia, Pakistani dhe vende arabe. Sipas tij, për myslimanët që vijnë nga vende me shumicë myslimane, ndonjëherë mungon atmosfera madhështore e Ramazanit që e kanë përjetuar në atdhe.
Emigranti pakistanez Rana Arif Mohammad, i vendosur në Medellin prej 23 vitesh, kujton se në fillim kishte shumë pak muslimanë dhe mezi gjente një xhami. Sot, sipas tij, vetëm në Medellin funksionojnë pesë xhami dhe dukshmëria e komunitetit është rritur.
Rritja e komunitetit musliman në Amerikën Latine nisi pas rënies së Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX, ndërsa në Kolumbi një valë e rëndësishme migrimi erdhi gjatë luftës civile në Liban në vitet 1970. Në qytetin Maicao u ndërtua një nga xhamitë më të mëdha në Amerikën Latine, e përfunduar në vitin 1997.
Sot, komuniteti musliman në Kolumbi përfshin si emigrantë ashtu edhe të konvertuar vendas. Udhëheqës fetarë theksojnë se sfida kryesore mbetet ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm me identitet të përbashkët dhe ndikim pozitiv në shoqëri, pavarësisht diversitetit të madh kulturor dhe kombëtar. /mesazhi








