Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Të paktën 10 civilë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet...

Të paktën 10 civilë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 10 civilë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të premten si pasojë e sulmeve të pandërprera izraelite në disa zona të Rripit të Gazës.

Sipas burimeve mjekësore, tre persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite goditi turmat e civilëve që prisnin ndihma humanitare pranë rrugës bregdetare Al-Rashid dhe kryqëzimit Al-Shuhada, në jug të qytetit të Gazës.

Forcat izraelite gjithashtu granatuan civilët në veriperëndim të qytetit të Gazës, në zonat Al-Waha dhe Al-Sudaniya, duke përdorur artileri dhe municion të gjallë, duke shkaktuar plagosje të tjera.

Katër civilë të tjerë u vranë dhe disa u plagosën pranë urës së Wadi Gazës, pasi ushtria izraelite hapi zjarr ndaj njerëzve që po prisnin për ushqim te kryqëzimi Al-Shuhada.

Ndërkohë, avionët luftarakë izraelitë kryen një seri sulmesh ajrore ndaj lagjeve të banuara në lindje të qytetit të Gazës, përfshirë Al-Zeitoun, Shuja’iyya, Al-Tuffah dhe Al-Daraj. Shtëpitë dhe pronat civile u goditën me raketa, ndërsa granatime u regjistruan edhe në skajet lindore të kampit Jabalia në veri.

Në jug, forcat izraelite bombarduan zonën përreth spitalit Nasser në Khan Yunis, duke lëshuar disa predha artilerie dhe paralajmëruar evakuimin e zonës – çka ka ngritur shqetësime për zhvendosje të detyruar të civilëve.

Dy civilë të tjerë u vranë me armë zjarri pranë një qendre ndihmash të menaxhuar nga një organizatë amerikane në veri të Rafahut, ndërsa të tjerë mbetën të plagosur.

Eksplodime të fuqishme u dëgjuan gjithashtu në lindje të Khan Yunis dhe Rafahut, ku ushtria izraelite vazhdoi të shkatërrojë shtëpitë e banorëve lokalë.