Të paktën 10 të vrarë ndërsa Uganda pret rezultatet zgjedhore, Museveni drejt fitores

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë zgjedhjeve në Ugandë, sipas opozitës, ndërsa presidenti në detyrë Yoweri Museveni duket se po shkon drejt zgjatjes së sundimit të tij katërdekadësh.

Komisioni Zgjedhor njoftoi se, me rreth 60 për qind të votave të numëruara, Museveni kryeson me 75.4 për qind, ndërsa rivali i tij kryesor, lideri i opozitës Bobi Wine, ka 20.7 për qind. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen të shtunën rreth orës 13:00 GMT.

Bobi Wine deklaroi se ndodhet në arrest shtëpie pas votimit të së enjtes, duke thënë se ushtria ishte vendosur rreth shtëpisë së tij menjëherë pasi ai hodhi votën. “Pas votimit, ushtria u dislokua rreth shtëpisë sime për të më vendosur në arrest shtëpie,” shkroi ai në platformën X. Policia mohoi pretendimet, duke deklaruar se Wine nuk është në arrest, por se po i ofrohet “siguri”.

Një deputet i partisë së Wine, Muwanga Kivumbi, tha për AFP se forcat e sigurisë kishin vrarë 10 agjentë të fushatës së tij pasi kishin bastisur shtëpinë e tij në Ugandën qendrore. Sipas bashkëshortes së tij, viktimat ishin fshehur në garazh kur forcat e sigurisë hapën zjarr përmes derës.

Policia, nga ana e saj, deklaroi se bëhej fjalë për “elementë të dhunshëm” që po planifikonin të sulmonin dhe digjnin një qendër numërimi dhe një stacion policie. Sipas policisë, një numër i papërcaktuar personash u “neutralizuan”, ndërsa 25 të tjerë u arrestuan dhe u akuzuan për dëmtim prone.

Zgjedhjet u shoqëruan gjithashtu me probleme serioze teknike, pasi pajisjet biometrike për identifikimin e votuesve nuk funksionuan dhe fletët e votimit u vonuan për orë të tëra në shumë zona. Gjatë gjithë procesit zgjedhor, autoritetet vendosën edhe një bllokadë të internetit, e cila vazhdonte edhe të premten.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi javën e kaluar se zgjedhjet po zhvilloheshin në një mjedis të shënuar nga “represion i gjerë dhe intimidim” ndaj opozitës. /mesazhi