Të paktën 145 veta dyshohet se kanë vdekur në tragjedinë e R. D. të Kongos

Varka me 200 udhëtarë po udhëtonte për në Republikën e Kongos kur u mbyt në lumin Lulonga gjatë natës të martën, duke lënë 145 persona të pagjetur – supozohet të vdekur tani – thonë zyrtarët, duke shtuar se 55 persona i mbijetuan fatkeqësisë.

Të paktën 145 pasagjerë janë zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur pasi një varkë me motor e mbingarkuar me mallra dhe kafshë u mbyt natën në një lumë në veriperëndim të Republikës Demokratike të Kongos, njoftuan autoritetet.

Rreth 55 njerëz i mbijetuan katastrofës, thanë zyrtarët të enjten.

Varka po udhëtonte për në Republikën fqinje të Kongos kur u përmbys në lumin Lulonga vonë të martën pranë qytetit të Basankusu.

Jean-Pierre Wangela, president i grupeve të shoqërisë civile në zonë, u tha gazetarëve se të paktën 145 persona ishin të zhdukur.

Ai fajësoi mbingarkimin për shkatërrimin e varkës, por tha se vendasit kanë pak mundësi të tjera. “Në bord ishin afërsisht 200 persona”.

“Nuk ka asnjë mjet tjetër transporti aktualisht në provincën tonë dhe këtu në territorin e Basankusu,” tha ai.

Fundosjet e anijeve që shkaktojnë dhjetëra viktima janë shumë të zakonshme në pjesët e largëta të Republikës Demokratike të Kongos, ku udhëtimi me rrugë është ndonjëherë i pamundur.

Shumë mjete ujore janë të mbingarkuara me mallra dhe njerëz që nuk dinë të notojnë. Operacionet e shpëtimit janë jashtëzakonisht të kufizuara në pjesë të largëta të vendit afrikan. Në tetor, më shumë se 40 njerëz vdiqën në lumin Kongo në provincën Equateur në rrethana të ngjashme.