4 të vdekur nga përmbysja e gomones me emigrantë në ‘La Manche’

Të paktën 4 persona kanë humbur jetën nga përmbysja e gomones me emigrantë në La Manche, në brigjet e qytetit Kent të Britanisë së Madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Burimet e qeverisë britanike njoftuan se nga përmbysja e gomones me emigrantë në La Manche kanë humbur jetën 4 persona dhe se janë shpëtuar 43 të tjerë të cilët janë evakuuar në Britani.

Sipas lajmeve në shtypin lokal, mësohet se një pjesë e të shpëtuarve janë evakuuar nga gomonia ndërsa disa të tjerë nga uji.

Në gomonen me emigrantë të parregullt pretendohej se ndodheshin rreth 50 persona. Thuhet se vazhdojnë punimet e përbashkëta të kërkim-shpëtimit të Francës dhe Britanisë.

Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman në një postim nga Twitter-i lidhur me ngjarjen, njoftoi se ka dijeni për ngjarjen e trishtë në La Manche dhe shprehu keqardhje duke bërë të ditur se po informohet vazhdimisht.

Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme thuhet: “Jemi të vetëdijshëm për incidentin e ndodhur në ujërat britanike dhe të gjitha institucionet përkatëse mbështesin ndërhyrjen e koordinuar”.

Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit në La Manche kanë kaluar mbi 40 mijë emigrantë të parregullt me gomone të vogla.