
Një operacion i madh ushtarak izraelit për të nxjerrë trupin e një izraeliti nga Gaza ka nxjerrë në pah një kontrast të ashpër moral: hetime të sofistikuara dhe përkushtim maksimal për një trup të vetëm izraelit, ndërsa mijëra palestinezë mbeten të humbur nën rrënoja, pa identitet dhe pa drejtësi.
Për të rikuperuar trupin e Ran Gvilit, një polic izraelit i vrarë më shumë se dy vjet më parë dhe i konsideruar pengu i fundit izraelit në Gaza, ushtria izraelite mobilizoi tanke, dronë dhe mjete të përshkruara nga banorët lokalë si “robotë shpërthyes”. Një lagje e tërë u shndërrua në “zonë vrasjeje”, u zhvarrosën rreth 200 varre palestineze dhe si pasojë u vranë katër civilë.
Operacioni përfundoi të hënën me nxjerrjen e trupit të Gvilit, që u përshëndet nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si dëshmi e përkushtimit të shtetit ndaj qytetarëve të tij. Por vetëm disa metra larg vendit ku u nxorën me kujdes eshtrat e tij, realiteti për palestinezët mbetet krejtësisht tjetër.
Sipas Komitetit Kombëtar për Personat e Zhdukur, më shumë se 10.000 palestinezë vazhdojnë të jenë të varrosur nën rrënojat e Gazës, pa u identifikuar dhe pa asnjë shenjë. Familjet e tyre jetojnë me dhimbjen e mungesës dhe pa mbyllje, ndërsa mungojnë mjetet, ekipet dhe vëmendja ndërkombëtare për nxjerrjen e trupave.
Zhvarrosja e varrezave Al-Batsh, në lagjen Al-Tuffah të qytetit të Gazës, është shndërruar në simbol të një standardi të dyfishtë vdekjeprurës: një realitet ku një trup izraelit mobilizon një ushtri të tërë, ndërsa mijëra trupa palestinezë trajtohen si pjesë e një peizazhi të shkatërruar.
Gazetari nga Gaza, Khamis al-Rifi, i cili raportoi nga afër operacionit, tha se zona ishte izoluar plotësisht. “Filloi me robotë shpërthyes dhe sulme ajrore për të hapur rrugën për tanket,” tha ai, duke shtuar se çdo lëvizje pranë varrezave ishte e pamundur për shkak të zjarrit të pandërprerë.
Brenda zonës së mbyllur, forcat izraelite kaluan dy ditë duke gërmuar tokën. “U zhvarrosën rreth 200 varre. Trupat u kontrolluan një nga një derisa u gjet trupi izraelit,” tregoi al-Rifi.
Pas largimit të forcave, trupat palestinezë u lanë në mëshirë të buldozerëve. “Qytetarët gjetën trupat të vendosur sërish në mënyrë të çrregullt, të mbuluar me rërë. Disa prej tyre ishin ende të dukshëm mbi sipërfaqe,” tha ai.
Ndërkohë që Izraeli përdori teknologji satelitore dhe laboratorë ADN-je për të identifikuar trupin e Gvilit, familjet palestineze nuk kanë as makineri bazike për të gërmuar rrënojat. Një zëdhënës i Komitetit për Personat e Zhdukur ka deklaruar më herët se Gaza është shndërruar në “varrezën më të madhe në botë”.
Ironia tragjike e këtij operacioni është se ai krijoi viktima të reja. Të martën në mëngjes, teksa banorët iu afruan varrezave të shkatërruara për të parë gjendjen e varreve të familjarëve, zjarri izraelit goditi sërish zonën, duke lënë katër të vrarë.
Në përpjekjen për të mbyllur një kapitull të dhimbshëm për shoqërinë izraelite, u hapën varre të reja në Gaza. Ky operacion pasqyron në mënyrë të zymtë gjithë luftën: shenjtëria e jetës dhe vdekjes së njërës palë ruhet plotësisht në kurriz të tjetrës. /mesazhi





