Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Teherani thotë se rregullimet e ardhshme për Hormuzin duhet të bëhen në...

Teherani thotë se rregullimet e ardhshme për Hormuzin duhet të bëhen në konsultim midis Iranit dhe Omanit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, tha të dielën se menaxhimi i ardhshëm i transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të përcaktohet përmes konsultimeve mes Iranit dhe Omanit, transmeton Anadolu.

Baqaei tha se diskutimet e së shtunës mes Teheranit dhe Muskatit gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi në Oman u përqendruan në rregullimet për menaxhimin e transportit detar në këtë rrugë ujore strategjike, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

“Omani dhe Irani ranë dakord të vazhdojnë diskutimet në nivelet politike dhe tekniko-ligjore për të arritur një mirëkuptim të përbashkët” lidhur me sigurinë e transportit detar në Hormuz, shtoi ai.

Një delegacion nga Katari ishte gjithashtu i pranishëm në “disa prej” diskutimeve të së shtunës, tha zëdhënësi.

Ndërkohë, Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian, tha se Teherani tashmë ka kontrollin mbi ngushticën.

“Ne e kemi marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit me forcë dhe do ta ruajmë atë po me forcë”, shkroi ai në platformën sociale amerikane X.

Garda Revolucionare e Iranit njoftoi herët të dielën se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet deri në një njoftim të mëtejshëm, në mes të shkëmbimit të sulmeve mes Teheranit dhe Washingtonit.

Në mesin e qershorit, Irani dhe SHBA-ja arritën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Pakistani, që synonte t’i jepte fund konfliktit ushtarak mes tyre dhe të hapte rrugën për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.

Çështjet kryesore mes palëve përfshijnë edhe Ngushticën e Hormuzit, e cila është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë dhe përmes së cilës kalon rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës.