Telefonata Erdogan-Rutte, në fokus kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO

Presidenti Recep Tayyip Erdogan bisedoi në telefon të premten me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte.

Siç bëjnë të ditur burime nga Presidenca turke, në këtë bisedë telefonike u diskutuan zhvillimet rajonale në përgjithësi dhe kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO në veçanti.

Gjatë telefonatës, Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia ka shqetësime legjitime dhe pritma të justifikuara në lidhje me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Duke vënë në pah kontaktet e këtyre vendeve me individë dhe pseudoshoqata nën drejtimin e organizatës separatiste terroriste PKK/YPG, si dhe mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian ndaj strukturave të përfshira në listën e organizatave terroriste, kreu i shtetit turk theksoi se kjo është në kundërshtim me solidarësinë e Aleancës dhe frymën e marrëdhënieve dypalëshe.

Erdogani potencoi se është e drejta më e natyrshme e Turqisë të presë që Finlanda dhe Suedia t’u japin fund të gjitha marrëdhënieve me organizatat terroriste në përputhje me këtë frymë solidariteti, nëse ato bëhen anëtare të NATO-s. /trt