Telekomi fiton kontestin 10 milionësh në Arbitrazh

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin e Arbitrazhit, në të cilin një kompani nga fusha e IPTV i kërkonte 10 milionë euro.

Në një njoftim për media Telekomi ka bërë të dituar se pas një beteje ligjore katërvjeçare, të martën ka pranuar vendimin përfundimtar nga Tribunali i Arbitrazhit, përmes të cilit është refuzuar në tërësi kërkesat e palës paditëse.

Telekomi se ka bërë të ditur emrin e kompanisë, por bëhet fjalë për kompaninë me prejardhje amerikane “Intercom Ventures Kosovo”, e cila kërkonte 10 milionë euro nga Telekomi, me pretendimet se nuk e kishte paguar për shërbimet e kontraktuara.

“Me Vendimin e Arbitrazhit është refuzuar në tërësi padia e Paditësit – një kompanie nga fusha e IPTV, në vlerën prej mbi 10 Milionë EUR (dhjetë milionë Euro), derisa janë konfirmuar në tërësi veprimet e ligjshme të Telekomit të Kosovës. Në një situatë të tillë, Telekomi i Kosovës tashmë është në pritje edhe të rikuperimit për shpenzimet financiare, përkatësisht kompensimit të shpenzimeve të përfaqësimit”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

Ky rast, sipas Telekomit, ka filluar më 19 shtator 2018, kur Paditësi ka ngritur padi ndaj Telekomit në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës. “Tribunali i Arbitrazhit, duke i vërtetuar faktet dhe argumentimin ligjor, me të drejtë ka ardhur deri te përfundimi se Telekomi ka vepruar në tërësi në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë. Kështu, Tribunali ka vendosur për refuzimin e kësaj padie kundër Telekomit”, thuhet në njoftim.

Nëpërmes këtij njoftimi Telekomi i Kosovës, ka siguruar aksionarin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të kërkojë fuqishëm vendosjen e drejtësisë në raport me të gjitha kontratat e dëmshme.

“Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk ishte e vetmja. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës, në përpjekje për të kthyer ligjshmërinë në kompani, ka rishikuar të gjitha kontratat e mëdha. Gjate këtij rishikimi, ka hasur në shumë parregullsi. Demet ndaj Telekomit nga modele të ngjashme kontraktuale kapin vlera mbi 150 milionë euro”, theksohet në njoftim.

Me këto kompani, thuhet se Telekomi i Kosovës, ende është duke u përballur nëpër gjykata dhe arbitrazhe, siç thuhet, në përpjekje për të mbrojtur pronën publike nga zhvatja përmes kontratave të ngjashme.

“’Fitimi i humbur’ dhe ‘Arbitrazhi ndërkombëtar’ janë emërues i përbashkët i këtyre kontratave korruptive. ‘Fitimi i humbur’ dhe ‘Arbitrazhi ndërkombëtar’ ishin projektuar nga politika dhe biznese të caktuara, si mënyrë e sigurt e kalimit të pasurisë publike në xhirollogari private dhe personale. Sistemi i drejtësisë, deri tani nuk ishte treguar i suksesshëm në parandalimin apo penalizimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Telekomit.