Tërmet 6.1 ballë në Japoni, 3 të vdekur

Tre persona e kanë humbur jetën si pasojë e një tërmeti me intensitet prej 6.1 ballësh sipas Rihterit që ka goditur Japoninë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti Meteorologjik i Japonisë njoftoi se tërmeti ka ndodhur në afërsi të qytetit Osaka.

Siç njoftohet, tërmeti është regjistruar në veri të qytetit, në thellësi prej 13 kilometrash.

Ndërkaq, Agjencia Nacionale e Katastrofave bëri të ditur se të paktën tre persona kanë humbur jetën, kurse afërsisht 100 të tjerë janë lënduar.

Tërmeti ka shkaktuar zjarre në shumë ndërtesa, plasaritje në rrugë dhe dëmtimin e ujësjellësit, ndërkohë që autoritetet nuk kanë dhënë alarm për cunami të mundshëm në rajon.

Pas tërmetit u pezulluan fluturimet dhe udhëtimet me tren.

Po ashtu, siç u njoftua, në centralet bërthamore në Mihama, Takahama dhe Ohi nuk kanë pësuar asnjë dëm.