Tesla urdhëroi ndalimin e ndërtimit të parkingut të rrjetit me panele diellore në Berlin

Tesla po përplaset sërish me zyrtarët e qeverisë në Gjermani për një projekt në bazë të Giga Berlin. Prodhuesi i EV planifikon të instalojë një sërë panelesh diellore mbi hapësirat e parkimit të fabrikës, por po përballet me bllokadat burokratike.

Autoritetet nga distrikti Oder-Spree e ndaluan ndërtimin më herët gjatë kësaj jave. Arsyeja për këtë qëndron te ajo se Tesla i vendosi 104 kunja në vend ndërtim pa ndonjë aprovim. Zyrtarisht, Tesla duhej që të merrte aprovimin para vendosjes së kunjave, të cilat përbëhen nga betoni dhe kanë 1 metër gjatësi.

Përderisa golem.de, gazeta gjermane e cila raportoi për ndalimin e punimeve, fillimisht supozoi se ky projekt në fjalë duhej që të kishte aprovimin, autoritetet e distriktit kanë thënë se supozojnë se kunjat nuk do të ndërhyjnë me cilësinë e ujërave nëntokësore në zonë, raporton një media kanadeze, transmeton Telegrafi.

Elon Musk, u shpreh i indinjuar me rastin pasi që në postimin në të cilin ai e shpërndau lajmin ai shkroi vetëm “sigh”.

Tesla u përball me shumë pengesa gjatë ndërtimit të fabrikës, veçanërisht në lidhje me ujerat dhe faunën e zonës. Ajo gjithashtu u përball me disa leje të vonuara përpara se më në fund të merrte dritën e gjelbër për të hapur fabrikën në marsin e vitit 2022.

Aplikimi i kompanisë për zgjerimin e fabrikës u aprovua nga autoritetet gjermane gjatë dhjetorit që lamë pas.

Disa banorë të zonës kanë dalë në përkrahje të ndalimit të fundit të punimeve. Një përfaqësues për Asociacionin për Natyrën dhe Peizazhin në Brandenburg komentoi rastin duke thënë: “Është konfirmuar se monitorimi i kantierit të ndërtimit në zonën ujore është plotësisht i pamjaftueshëm, dhe mesa duket Tesla mund të bëjë atë që dëshiron. Ndërtimi i fabrikës në zonën e mbrojtjes së ujit ishte një gabim politik”.