Thaçi i drejtohet popullit nga FSK-ja (Fjalimi i plotë)

Presidenti: Pengesat s’duhet ta turbullojnë vizionin tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një adresim publik para rreth një mijë ushtarëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi është shprehur krenar dhe shumë i privilegjuar para tyre.

“Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës. Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat deri më tani. Të flasim për zhvillimet në vendin tonë dhe së bashku të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfidat dhe mundësitë që i kemi para vetes. Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve. Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shprehur mirënjohjen për faktin që sivjet kemi kaluar dy teste të rëndësishme të pjekurisë demokratike përmes organizimit të suksesshëm tëzgjedhjeve.

“Aq më tepër kur kujtojmë faktin që këto zgjedhje janë mbajtur në një atmosferë jo të lehtë politike, ku debatet e brendshme ishin më të gjalla dhe dinamike se kurdoherë më parë”, ka thënë Thaçi.

Por, të kthejmë kokën prapa dhe kujtojmë të kaluarën tonë, ka thënë ai.

“Shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vetë në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit është e pashembullt.Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi. Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur.Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq?Sigurisht që Jo.Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër. Jemi afër nga data kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektimi të përbashkët.
Të flasim për të arriturat dhe sfidat që i kemi tejkaluar, e po ashtutë mendojmë qetë edhe për ngecjet, edhe dështimet, sado e pakëndshme të thuhet e mendohet kështu.Duhet të jemi plotësisht të sinqertë, Kosova sot është duke kaluar sfida jo të lehta.Ne kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë. Edhe pse sot ne funksionojmë si shtet, ende shumë fusha mbesin jashtë autoritetit tonë shtetëror. Një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare ende funksionon në Kosovë, duke krijuar përshtypjen se jemi në një stad shumë të hershëm të tranzicionit. Në rrafshin ndërkombëtar ne kemi arritur një numër të madh të njohjeve, dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë dhe meritojmë të jemi. Projektet që ne kemi përpara nuk janë lehta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.

“Kohërat e vështira mund të na hutojnë, mirëpo ne nuk guxojmë të lejojmë që pengesat ta turbullojnë vizionin tonë.E kaluara e jonë është e dhimbshme, e dominuar nga shtypja dhe pushtimi.Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhembje të gjitha viktimat e pafajshme të luftës së përgjakshme.I kujtojmë me përulje por edhe krenari të gjithë martirët dhe heronjtë që dhanë jetën e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Nuk harrohen dhe nuk duhet të harrohet kurrëdeportimi i gjysmës së popullsisë tonë, në një përpjekje për spastrim etnik. Kjo dikujt mund t’i duket se po flasim për një histori të vjetër e të harruar, por jo.Po flasim për historinë tonë, për vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe miqtë tanë, për vuajtjen tonë. Vuajtja ende nuk ka përfunduar, sepse edhe sot shumë familje në Kosovë, vazhdojnë të jetojnë duke mos e ditur se ku i kanë të afërmit e tyre.Me gjithë këtë barrë historike, ne nuk do të lejojmë që dhimbja dhe tmerri që kemi përjetuar, të na mbajnë peng. Nuk do të mendojmë dhe as nuk do të sillemi si viktima, sepse ne e kemi fituar luftën, dhe kemi një histori me të cilën mburremi. Por, detyra historike që kemi para vetes është që ta fitojmë edhe paqen”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore.

Këto qëllime duhet t’i arrijmë me ngulm e vetëbesim, ka thënë Thaçi, duke përmbushur standardet demokratike, por jo duke u bërë servil të projekteve shterpe, të cilat shpesh janë të importuara dhe të imponuara.

Lajmi 2.

Presidenti kërkon të rindërtohet konsensusi nacional për interesin shtetëror

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se tashmë çdo ditë po shtohen zërat që po kërkojnë identitet më të qartë në mënyrën sesi qeverisim.

Ai ka thënë se për një kohë shumë të gjatë u jemi përshtatur nevojave të kohës.

“Kemi bërë lëshime të shumta në çështje që do të duhej të kishin një reflektim të brendshëm më të madh dhe përfillje më të madhe të asaj se kush jemi. I ftoj të gjithë që të mendojnë më shumë për atë sesi mund ta bëjmë një Kosovë që reflekton kërkesat, nevojat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj, para së gjithash. Deri sa besoj në nevojën për reformim të vazhdueshëm e modernizim, unë mendoj se këtë duhet të bëjmë në mënyrën që më së miri i përshtatet vendit tonë. Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar.Ne i mbetemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për çdo të mirë që i ka sjell Kosovës, ashtu siç i mbajmë përgjegjës për të gjitha lëshimet dhe dështimet e tyre.Partneriteti i mirëfilltë funksionon në mënyrë reciproke.Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë do të mund të llogarit në partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin me ne, si parim bazë.Por tani, përgjegjësia për rrugëtimin tonë, për të sotmen dhe të ardhmen tonë, është në duart tona”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se kemi përgjegjësi që të sillemi si zot shtëpie në vendin tonë.

“Para se të fajësojmë rrethanat dhe këdo për çfarëdo që na duket se nuk po shkon mirë, ne duhet të bëjmë një vetëreflektim. Sot shoqëria jonë është më e polarizuar, e fragmentuar politikisht, dhe çdo gjë ka filluar të politizohet skajshëm. Unë e kuptoj se sa sfiduese është për të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë gjendje.Ata duhet të gjejnë forcën dhe ta tejkalojnë këtë model të ndarjes dhe përçarjes. Spektri politik në Kosovë mund të mos të pajtohet për çështjet të caktuara, por ne nuk guxojmë që të humbim qoftë edhe një minutë duke lejuar degradimin e mëtutjeshëm të debatit. Dhuna nuk ka vend në Kosovë. Aq më tepër, dhuna në institucione dhe nga përfaqësues institucionalë është turp dhe nuk mund të justifikohet me asgjë. Fatkeqësisht, kjo qasje shkatërrimtare e brendshme e ka dobësuar dhe po e dobëson vendin tonë. Sulmet ndaj institucioneve, dëmtimi i pronës publike e private, duele fizike të deputetëve, janë ndër fatkeqësitë më të dhimbshme sot.Pasojat janë shumë më të mëdha se titujt sensacionalë që këto situata prodhuan si brenda edhe jashtë vendit. Prandaj, lutja ime për të gjithë është që të distancohen nga ky lloj i sjelljes dhe të punojnë për ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se në Kosovë sot me lehtësi të madhe vihen në pikëpyetje dhe përdoren për politikë ditore çështje të interesit të përbashkët shtetëror.

“Ne urgjentisht duhet ta rindërtojmë konsensusin nacional për çështjet e interesit të përbashkët.Unë, si president do të vazhdojë të bëjë përpjekje të vazhdueshme që këtë element të përgjegjësisë sime ta respektoj dhe kultivoj në çdo aspekt të ushtrimit të funksionit tim. Janë disa gjëra që nuk do të duhej të varen nga ajo se kush është duke qeverisur e kush është në opozitë.Në tema të caktuara, qytetarët tanë janëtë vendosur dhe unik. Uniteti i qytetarëve duhet të rezultojë në unitet të përfaqësuesve të tyre”, ka thënë Thaçi.

Lajmi 3.

Thaçi: EULEX-it i përfundon mandati në vitin tjetër

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se zhvillimi dhe rritja ekonomike, punësimi, edukimi dhe shëndetësia janë disa nga çështjet që duhet adresuar në mënyrë urgjente.Ai ka thënë se zhvillimi i prodhimtarisë bujqësore, rritja e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, investimet e huaja strategjike, janë çelësat e rritjes ekonomike.

“Po ashtu, është bërë punë e madhe në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, në sigurimin e kushteve më adekuate të mësimdhënësve, duke përfshirë rritjen e pagave.Përkundër kësaj,ne duhet të rifokusojmë përpjekjet tona në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit, në mënyrë që të përmbushim nevojat e tregut të punës.Në të njëjtën kohë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë të mbetet prioritet ynë.Imazhi i keq për Kosovën, në masë të madhe është rezultat i perceptimit për shkallën e lartë të korrupsionit.Prandaj, kjo situatë duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë. Se sa do të jemi të suksesshëm në çdo fushë, varet nga cilësia e sundimit të ligjit. Nuk ka fushë që është përfolur, analizuar, diskutuar dhe investuar më shumë se sa fusha e sundimit i ligjit. Prandaj nuk ka dyshim për rëndësinë e këtij sektori. Qasjet dhe modelet speciale, shpeshherë eksperimentale, e rrallë të përdorura gjetiu, gati janë bërë normë në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se me qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit të EULEX-it.

“Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare.E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE,dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj. Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësidhe vetëbesim.Mungesa e dijës dhe e guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet.Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është:Zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi.Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX. Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk ka gjë më të shenjtë, se sa ta ruajmë tolerancën fetare dhe nderetnike.

Prandaj, ai ka thënë se jemi dhe do të mbesim kampion në luftën kundër ekstremizmit, fundamentalizmit dhe çfarë do forme të terrorizimit.

“Kosova njësoj sikur pjesa dërmuese e shteteve perëndimore, është prekur nga elementet fundamentalistë dhe terroristë.Mirëpo institucionet tona të sigurisë, me sukses janë ballafaquar me këtë kërcenim të rrezikshëm.Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.Do të jemi të pa kompromis kundër atyre që synojnë që me dhunë të na e ndryshojnë kulturën, traditën dhe mënyrën tonë të jetesës.Ata shtetas të Kosovës të cilët kanë rënë në rrjetën e ideologjisë ekstremiste, fundamentaliste dhe terroriste, do të përballën pamëshirshëm me forcën e ligjit.Do t’u japim goditje të vazhdueshme atyre që rrezikojnë vlerat tona kombëtare dhe shtetërore”, ka thënë ai.

Lajmi 4.

Thaçi për Gjykatën Speciale: E duam drejtësinë, por s’pranojmë të diskriminohemi në emër të saj

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se këto janë tema jo të lehta për ne, porse jemi pikërisht për t’u marrë me tema të vështira.

Padyshim,ai ka thënë se e tillë është edhe tema që mori vëmendje të madhe së fundmi që ka të bëjë me “gjykatën speciale”.

“Bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e saj.Institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë sepse në të kundërtën, ne do të ishim të pafuqishëm të parandalonim themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së.E votuam në atë kohë për të ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës.Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas presidentit Thaçi, paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues.

“E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar. Kosova dhe të gjithë ne e duam drejtësinë, por nuk pranojmë të diskriminohemi e poshtërohemi në emër të saj, vetëm e vetëm për të kënaqur ata që nuk e durojnë dot ekzistencën dhe suksesin e shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.

Lajmi 5.

Presidenti: Kosova do ta ketë ushtrinë e saj moderne

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi u ka thënë pjesëtarëve të FSK-së se Kosova duhet të përfundojë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të themelojë ushtrinë shumetnike, pra Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ai ka thënë se këtë jemi duke e bërë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë.

“Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë multietnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë. Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ashtu siç po e dëshmoni çdo herë, ju pjesëtarë të FSK-së po shkëlqeni në secilin ushtrim apo garë ku merrni pjesë.Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë.Uniforma që ju bartni, është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer në realitet.Ju jeni profesionistë dhe keni shumë për t’u dhënë misioneve të ndryshme paqeruajtëse. Por, para së gjithash, ju e meritoni shansin e realizimit të potencialit të tuaj, duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.Ne jemi duke shikuar drejt ardhmërisë, por asnjëherë nuk do të harrojmë të gjithë ata që dhanë shumë për vendin tonë. Në themelet e lirisë sonë qëndron kontributi dhe sakrifica e shumë veteranëve të UÇK-së, që kurrë nuk hoqën dorë nga ëndrra e lirisë. Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona që të sigurojmë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.Këtë do ta bëjmë jo në dëm të funksionimit të shtetit, sepse këtë jam i sigurt se askush nga ata nuk dëshiron të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.

Lajmi 6.

Thaçi: Shteti më proevropian në Ballkan është lënë më i izoluari në Evropë

(I plotësuar) – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në adresimin e tij ka thënë se jemi në një kohë kritike edhe në marrëdhëniet tona me botën e jashtme.

Ai ka thënë se besojmë në vlerat thelbësore të BE-së dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës është në favor të anëtarësimit në BE.
“Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të reformuar, përmirësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e BE-së. Por, që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve tanë. Ne e dimë fare mirë që sot, perspektivën evropiane e kemi shpresë, dëshirë, synim, por jo edhe realitet të mirëfilltë. Kosova, si vendi më proevropian në Ballkan, është shteti më i izoluar në Evropë.E, në anën tjetër evropianët e rinj sot janë evropianë të izoluar”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se kjo është ndjenjë e pafuqisë, e dëshpërimit, e mërzisë që na bashkon të gjithë neve në Kosovë: qofshim politikanë, ekonomistë, biznesmenë, artistë ose dhe qytetarë të zakonshëm.

Ai ka thënë se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimin, malli i një afaristi kosovar nuk ka më kurrfarë pengesash për t’u ofruar në tregun evropian, por vetë ky afarist nuk mund të lëvizë dot në Evropë pa vizë.

“Kështu është edhe me artistët tanë”, ka shtuar ai.

Filmat dhe veprat nuk njohin kufij, por këta kufij presidenti ka thënë se vlejnë për vetë autorët e tyre.

“Izolimi, të lënit anash, të qenit i harruar, çdo ditë po shfrytëzohet prej ekstremizmave politikë dhe fetarë në Kosovë.Ky izolim po shfrytëzohet me qëllim të dobësimit të lidhjeve të kamotshme qytetëruese dhe kulturore të Kosovës me Evropën. Pse Kosova trajtohet kështu, kur dihet se Bashkimi Evropian, ka qenë pjesë e ndërtimit të demokracisë në Kosovë, në vitet 1999-2008, dhe më pas, kur BE ka qenë pjesë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës? Politikanë dhe diplomatë, policë, prokurorë dhe gjykatës, ekspertë të gjitha fushave të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së, janë pjesë e pandashme e sukseseve tona.Gjithsesi, ata janë edhe pjesë e gabimeve dhe dështimeve tona. Nuk ka integrim evropian pa tejkalimin e izolimit diskriminues të imponuar e të stërzgjatur.Më lejoni të jem i qartë, ne e dimë se Kosova nuk do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe të shqetësuar nga fakti se procesi është i padrejtë”, ka thënë ai.
Presidenti ka shtuar se liberalizimi i vizave është një shembull i qartë.
Përveç që është lënë e fundit, ai ka thënë se Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj kanë pasur vetëm rreth 50të tilla.
Për më tepër, presidenti ka thënë se Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-at nëse interpretohen sipas udhërrëfyesit formal.
“Kriteri i fundit i mbetur sipas BE-së për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet të plotësohet pa humbur kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar dje këtë marrëveshje të cilën unë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e kam nënshkruar më 26 gusht 2015.Çdo dështim i institucioneve tona shtetërore për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ndërkombëtare, po i shërben BE-së si justifikim për të mbajtur Kosovën të izoluar.Zvarritjet e panevojshme, qofshin ato për qëllim të blerjes së kohës, apo për shkak të tekave personale, apo të një grupi të caktuar, janë të papranueshme.Këto zvarritje janë të dëmshme jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për raportet ndërshtetërore me Malin e Zi.Prandaj, institucionet shtetërore duhet të marrin vendim tani, sepse vonesat sjellin vazhdim të izolimit dhe zbehin besueshmërinë tonë në sytë e shteteve mike”, ka thënë ai.
Presidenti ka shtuar se nuk duhet t’i lejojmë vetes që të dështojmë në përmbushjen e obligimeve shtetërore dhe në të njëjtën kohë të bëjmë fajtor vetëm BE-në, apo bashkësinë ndërkombëtare.
Ai ka thënë se institucionet tona kanë dështuar për gati tri vite me radhë që të ratifikojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.
“Kështu, jo vetëm që e kemi humbur betejën e argumentit me BE-në, por e kemi luhatur besimin tek partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.Po bëhen më shumë se katër vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe ratifikimit të saj në Parlamentin e Kosovës.Për fat të keq, qeveria ende nuk e ka përmbushur obligimin e vet për themelimin e Asociacionit, përkundër faktit se gjithçka është e qartë dhe plotësisht ligjore e kushtetuese.Prandaj, opinioni publik duhet t’i ketë gjërat të qarta”, ka thënë ai.
Për aq sa është fajtore BE-ja për izolimin e Kosovës, presidenti ka thënë se po aq janë fajtore institucionet shtetërore për mos përmbushjen e obligimeve të veta, duke i dhënë pretekst BE-së të na mbajë të izoluar.

Lajmi 7.
Presidenti: Anëtarësimi në bllok i shteteve të Ballkanit Perëndimor, vendimi më adekuat i BE-së

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se po bëhet çdo ditë më e qartë që nuk ka integrim evropian të njëanshëm.

Ai ka thënë se Kosova nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe BE-ja duket e bindur se disa nga anëtarët e saj mund të vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Si rrjedhojë kjo e bën të pamundur që Kosova një ditët’i bashkohet BE-së. Ky është ai lloji i të menduarit të dyfishtë, që nuk pritet nga një institucion demokratik dhe transparent. A e gëzon Kosova një perspektivë evropiane apo jo?A munden disa vende, për shkak të problemeve të tyre të brendshme, të shuajnë shpresën e 2 milionë njerëzve që një ditë t’i bashkohen BE-së. Deri kur duhet ne të shtiremi sikur po integrohemi edhe deri kur do të vazhdojmë të sillen kinse problemi jemi ne. Procesi i integrimit mund të jetë i gjatë dhe i ngadalshëm, por së paku neve na duhet një perspektivë konkrete.Qasja e tanishme është e paqëndrueshme. Nëse nuk ka vizion dhe guxim e vullnet politik, frikësohem se jo vetëm që nuk do të kemi hapa përpara, por edhe më keq, do të shohim regres, sepse durimi po humbet me zbehjen e kredibilitetit të BE-së”, ka thënë ai.

Presidenti ka shtuar se nganjëherë krijojmë përshtypjen se sa më shumë mundohemi ne, prodhohet më shumë skepticizëm tek disa vende tëBE-së.

“Kosova është rast unik dhe përvoja e jonë nuk ka asnjë paralele me rastet tjera në BE e gjetiu. Frika që njohja apo avancimi i Kosovës do të ketë efekt negativ te këto vende, është joracionale dhe një qasje e gabuar. Bashkimi Evropian e ka kuptuar që nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë, përveç anëtarësimit tëtëgjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.Unë dua ta them qartazi se Bashkimi Evropian vetëm forcohet duke hapur derën për popujt e mbetur ende jashtë tij.Ky duhet të jetë një vendim i shpejtë strategjik i BE-së dhe assesi një proces i pafund teknik dhe procedural.Veprimi dhe vendimi me adekuat i BE-së do të ishte anëtarësimi i pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në bllok, pra në të njëjtën kohë.Konsideroj dhe shpresoj se Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, duhet të marrin në konsideratë realitetin tonë.Këtë realitet ta përfshijnë në udhërrëfyes gjatë hartimit të strategjisë për zgjerim, e që do të bëhetpublik në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Edhe në raport me fqinjët tanë, presidenti ka thënë se Kosova është faktor i stabilitetit dhe nuk mund të anashkalohet.

“Askush nuk do të na shkelë më kurrë, kjo është e sigurt. Të gjithë ata që janë të interesuar që të kenë një bashkëpunim me ne, duhet të na trajtojnë si të barabartë.Ne jemi për një stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, por kostoja dhe përfitimet duhet të jenë evidente për të gjithë.Kosova ka më shumë se pesë vite që ka hyrë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Besoj se,po pati vullnet politik në BE dhe te miqtë tanë ndërkombëtarë, ne do të mund të kalojmë në një fazë të re, më ambicioze dhe me domethënëse se deri më tani.Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut, sepse përmes tij kemi arritur të avancojmë konsolidimin dhe integritetin shtetëror të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sot, si rezultat i kësaj përpjekjeje,ai ka thënë sekemi shtrirje të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës.

“Sot kemi një sistem të drejtësisë unik dhe përfshirës, kemi një polici në të gjithë territorin e vendit.Këtë proces tani duhet ta përfundojmë me një marrëveshje historike përfundimtare për normalizim dhe pajtim. Ky proces duhet të përfundojë me marrëveshje ndërshtetërore, traktat ndërkombëtar që siguron një paqe afatgjate, njohje të ndërsjella dhe që mundëson integrimin në strukturat euroatlantike. Siç kam thënë, kjo duhet të jetë një përpjekje jona e përbashkët, prandaj edhe së shpejti do të propozojë një model të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës politik.Në këtë ekip do të krijohet hapësirë e mjaftueshme për të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile”, ka thënë ai.

Presidenti ka konfirmuar se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përfshira më drejtpërdrejt në këtë dialog.

Ai ka thënë se bashkëpunimi ndodh vetëm duke u trajtuar të barabartë dhe askush tjetër përveç nesh, nuk mund të flas në emër të Kosovës.

Për më tepër, ai ka thënë se përpjekjet e ndonjë shteti të caktuar për të dominuar ose udhëhequr rajonin tonë në çfarë do forme, janë përpjekje të kota.

“Ëndrrat e së kaluarës duhet të harrohen, sepse ato na përçajnë. Vetëm e ardhmja e bazuar në vlera civilizuese dhe reciproke, mund të na bëjë bashkë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi e ka përmbyllur adresimin e tij duke thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.

“Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit.Qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është detyra e tij dhe e të gjithëve, që të punojmë pa u ndaluar për të mirën tonë të përgjithshme.