Thaçi i kërkon Borrellit liberalizimin e vizave, ky s’premton se kur do të ndodhë

Liberalizimi i vizave dhe dialogu Kosovë-Serbi kanë qenë temat që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë të ketë biseduar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Pas takimit, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se vizita e Borrellit është “mesazh i fuqishëm dhe tregues i rritjes së vëmendjes së BE-së për Kosovën dhe rajonin”.

Ai ka thënë se ka shprehur sërish zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës për izolimin. Në anën tjetër, Borrell ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, por nuk ka mundur të premtojë kohë se kur do të ndodhë liberalizimi.

“Orientimi strategjik i Kosovës është i qartë që të punojë më fuqishëm që të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova po punon në implementimin e të gjitha reformave, por edhe në kryerjen e obligimeve që ka për paqen dhe stabilitetin. Kërkon përkushtim të të gjitha palëve, besim të ndërsjellë dhe vlerësim dhe ky besim të avancohet në bazë të meritave. Për fat të keq, bisedova me zotin Borrell e informova në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është trajtuar padrejtësisht sepse i ka plotësuar të gjitha kriteret andaj besoj dhe dua të shpreh sërish zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mosliberalizimin e vizave. Izolimi i Kosovës është krejtësisht i padrejtë. Dua të besoj se me angazhimin e Borrellit kjo qasje do të ndryshojë urgjentisht. Do të doja të shohim një Bashkim Evropian unik edhe për Kosovën”, ka thënë Thaçi.

“E kuptoj në plotësi, dhe më lejoni që të them se nuk mund t’u premtoj se kur do të ndodhë liberalizimi sepse kjo është vendim që duhet të merret nga shtetet anëtare, por nga ana ime mund të them se nga komisioni që përfaqësoj, që jam nënkryetar, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Mund të siguroj se nga ana e komisionit evropian kjo do të merret së shpejti si vendim”, ka thënë në anën tjetër Borrell.